Nga: Florian Leli

Në suren e Bekaresë, Allahu i madhëruar, duke sqaruar ata të cilët i meritojnë më shumë sadakatë, thotë: (Për të varfërit të cilët u bllokuan në rrugë të Allahut, pa pasur mundësi të lëvizin në tokë. I padituri i kujton ata për të pasur prej përmbajtjes. Ata i njeh nga shenjat e tyre, nuk u kërkojnë njerëzve me ngulm. E çfarëdo të mirë që shpenzoni, atë Allahu patjetër e di).

Sudiu, Muxhahidi dhe të tjerë komentues të Kuranit, kanë thënë që të varfërit e përmendur në këtë ajet, janë muhaxhirët, kryesisht muhaxhirët mekas, por edhe të tjerët, të cilët pasi lanë vendin e tyre dhe shtegëtuan në Medine, u bllokuan aty. Makasit, në dallim nga banorët e Medines, ishin tregëtarë dhe nuk merreshin me buqësi e pemëtari. Në vitet e para të emigrimit, rrugët e tregëtisë u bllokuan për muslimanët, për shkak të konflikteve me politeistët. Të gjendur larg vendit të tyre, të bllokuar dhe pa pasur mundësi të lëvizin në tokë për të siguruar jetesën, shumë muhaxhirë u prekën ekonomikisht.

Por, duke qënë se ishin besimtarë, imani, sedra dhe mbështetja tek Allahu, i shtynin të përmbaheshin e të mos ia shtrinin dorën askujt, kështu që të painformuarit rreth gjendjes së tyre, nuk i pikasnin, duke kujtuar se kanë mjaftueshëm dhe s’janë nevojtarë, prandaj dhe nuk u jepnin. Prandaj, Allahu i urdhëroi besimtarët që kishin mundësi të jepnin lëmoshë, të kërkojnë dhe të gjurmojnë ata nevojtarë që më shumë e meritojnë lëmoshën, duke i shquar e dalluar ata përmes shenjave dhe cilësive të tyre.

Edhe pse ajeti ka zbritur për muhaxhirët e varfër në Medine, ai është i përgjithshëm për të gjithë fukaratë, gjer në ditën e gjykimit, me pajtimin e dijetarëve. Ajeti ka zbritur i veçantë për ta, pasi ata ishin shtresa kryesore e të varfërve dhe nevojtarëve në fillimet e hixhret.

Për shenjat e përmendura në fjalën e Allahut: (Ata i njeh nga shenjat e tyre), imam Ibën Xherir Taberiu, në tefsirin e famshëm të tij, përcjell disa interpretime. Prej tyre:

– Sipas Muxhahidit, ata janë të thyerit, të mundurit nga jeta.
– Sipas Sudiut dhe Rabias, ata dallohen nga drobitja dhe sfilitja në frytyrat e tyre, për shkak të nevojës.
– Sipas Ibën Zejdit, ata janë të veshurit me rroba të vjetra; sepse uria është e padallueshme, ndërsa veshjet dallohen.
Në fakt, të gjitha këto shenja dhe interpretime, janë interpretime plotësuese të njëra-tjetrës. Ibën Xherir Taberiu, pasi i përmend këto interpretime thotë:

“Mendimi më afër të vërtetës është të thuhet që: Allahu i tregoi të dërguarit, se si të mundë t’i njohë ata nga shenjat e tyre, nga shenjat e varfërisë. I dërguari (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) i kuptonte këto shenja përmes vëzhgimit dhe i shquante të varfërit përmes tyre, ashtu siç vihet re i sëmuri dhe kuptohet që është i sëmurë, nga vëzhgimi.

Është e mundur që prej shenjave të jenë mundimi në jetë dhe gjurmët që nevoja dhe mjerimi lënë, ashtu siç është e mundur që të jenë rrobat e vjetëruara, apo të gjitha këto së bashku. Shenjat e nevojës dhe gjurmët e mjerimit te njeriu kuptohen dhe dallohen që janë prej nevojës dhe mjerimit, përmes vëzhgimit, jo thjesht përshkrimit. Këtë e themi sepse i sëmuri, në disa shkallë të sëmundjes, mund t’u përngjasojë të drobiturve nga varfëria dhe nevoja, por për shkak të sëmundjes (jo se është i varfër dhe nevojtar). Edhe i pasuri mund të veshë rroba të vjetra dhe mund të vishet ashtu siç vishen të varfërit, e në këto raste, këto cilësi nuk dëshmojnë që i cilësuari është nevojtar i varfër. Në fakt, kjo kuptohet me vëzhgimin e tij, ashtu siç e ka cilësuar Allahu, njësoj siç kuptohet sëmundja e të sëmurit nëpërmjet vëzhgimit, jo thjeshtë nga cilësimi me një cilësi të caktuar”.

Ndërsa për pjesën e ajetit: (Nuk u kërkojnë njerëzve me ngulm), Ibën Xheriri dhe shumë dijetarë të tjerë, përzjedhin mendimin se me përcaktorin “me ngulm” në këtë ajet, kihet për qëllim përforcimi i moskërkimit. Pra më të merituarit për sadaka, janë ata nevojtarë që kurrë nuk e shtrijnë dorën, prandaj dhe njerëzit i lënë në harresë.

Imam Kurtubiu, në tefsirin e tij thotë: “Dijetarët janë ndarë në dy mendime për kuptimin e fjalës (nuk u kërkojnë njerëzve me ngulm). Disa dijetarë, prej tyre Ibën Xheriri dhe Zexhaxhiu, e komentojnë: nuk kërkojnë kurrë. Sipas këtij kuptimi këtu janë për qëllim ata që i shmangen lypjes (kërkesës) tërësisht. Ky është edhe mendimi i shumicës së dijetarëve. Përmbajtja dhe moskërkimi është një cilësi e përhershme e tyre, pra nuk kërkojnë prej njerëzve as me ngulm e as pa ngulm.

Disa dijetarë të tjerë, mendojnë që për qëllim kihet mohimi i ngulmit, pra ata mund edhe të kërkojnë por pa ngul, ashtu siç kuptohet në pamje të parë. Pra kërkojnë por pa ngulm. Në këtë rast është dëshmi e nënkuptuar për cilësinë e keqe të atyre që u kërkojnë njerëzve me ngulm. Imamët transmetojnë, teksti është sipas Muslimit, nga Muavije ibën Ebi Sufjani, thotë: I dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Mos lypni me ngulm! Pasha Allahun! Askush prej jush nuk më lyp diçka dhe me lypjen e tij arrin të marrë prej meje atë që nuk më pëlqen, e më pas t’i jepet begati në atë që i dhashë”. Mbaroi fjala e Kurtubiut.

Pra, ajeti i fton besimtarët të kërkojnë ata që e meritojnë me të vërtetë të ndihmohen dhe kanë më parësi se të tjerët. Ajeti na mëson të mos mjaftohemi me fjalët: A ke nevojë për gjë? Imani e pengon besimtarin të thotë: Kam nevojë, edhe pse ai është nevojtar. Imani e shtyn përherë besimtarin të thotë: Jemi mirë, shyqyr zotit! Imani e shtyn besimtarin të mos i qahet askujt. Prandaj në raste të tilla duhet që dhënësi i sadakasë, të përpiqet t’ia japë lëmoshën atij që më shumë e meriton, duke gjurmuar, duke vëzhguar, duke pyetur të tjerët dhe duke i kërkuar këta nevojtarë dhe të mos mjaftohet me pyetjet e sikletshme: A të duhet gjë? A ke nevojë për gjë?

Ai që ka bollëk e teprica për sadaka, duhet të hulumtojë ata që gjënden në mesin e tij; të afërmit, fqinjët, shoqërinë, besimtarët me të cilët falet në xhami dhe jo të mjaftohet me disa që shtrijnë dorën, sepse shumica e besimtarëve nevojtarë nuk e shtrijnë atë.

Këtë e përforcon edhe hadithi që e transmetojnë Buhariu me Muslimin nga Ebu Hurejra, se i dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem) ka thënë: “Nuk është nevojtari ai që e kthejnë një apo dy kafshata, por nevojtari është ai që nuk ka mjaftueshmëri por i vjen turp (të kërkojë) ose nuk u kërkon njerëzve me ngulm”. Në një shtesë tjetër të saktë thuhet: “i vjen turp dhe nuk pikaset” dhe Allahu është më i ditur.

Pikëpamjet dhe opinionet e shprehura në këtë material janë tërësisht të autorit/autorëve dhe jo domosdoshmërisht reflektojnë politikat e Berati.TV.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re