17 urdhërarreste janë lëshuar nga prokuroria e Palermos në Itali, pas disa episodeve të rënda të dhunës ndaj të moshuarve, që kanë edhe probleme të shëndetit mendor, apo të lëvizjes.

Dhjetë të dyshuar janë dërguar në burg, shtatë janë lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie, pesë janë detyruar të qëndrojnë në komunën e vendbanimit dhe trembëdhjetë të tjerë e kanë të ndaluar që të ushtrojnë detyrën për një vit.

Ata akuzohen për disa vepra të rënda penale, përfshirë torturën, keqtrajtimin, rrëmbimin, korrupsionin, mashtrim të rëndë për marrjen e fondeve publike.

Skenat e rënda kanë ndodhur në ambientet e një organizate jofitimpurëse, e cila në bazë të një marrëveshje publike, strehonte dhe duhej të rehabilitonte 23 pacientë me aftësi të kufizuara, në një gjendje të rëndë.

Përgjimet, britmat e pacientëve

Ajo që del nga përgjimet e kryera në shtëpinë e të moshuarve është dramatike. Në dhomën e “relaksimit”, të ftuarit mbaheshin varur, mbylleshin brenda dhe goditeshin me shkelma e grushta. Më pas ata u ofenduan: “peder”, bërtiti një operator dhe pas një goditjeje tjetër mbylli derën.

“Është një çmendinë, një kamp përqendrimi nazist”, komentuan disa operatorë të qendrës, duke mos ditur se po përgjoheshin, ndërsa njëri nga pacientët bërtiste: “Doktor, më lër të dal. Thamë pesë minuta, marrëveshjet mbahen, marrëveshjet mbahen”.

“Ushqimi ishte i neveritshëm, pasi struktura nuk ishte e pastër”, është një tjetër prej dëshmive, ndërkohë që pamjet janë vërtetë të rënda.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re