Kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, në një lidhje direkte me studion e “Debat” nga Alba Alishani, në A2 CNN, zbuloi propozimin që i ka bërë Sali Berishës dhe Lulzim Bashës, në kuadër të zgjedhjeve të pjesshme lokale.

“Qëndrimi im ka qenë gjithmonë që vetëm një opozitë e bashkuar mund të bashkojë qytetarët. Historiku i 30 viteve politikë nuk më lë të gaboj në një fakt: që dalja e opozitës me dy kandidatë të ndryshëm, i jep avantazh kundërshtarit. Nëse opozita del me dy kandidatë, shanset për të fituar do të jenë shumë më minimale.

Në këtë pikëpamje, ne duhet të bashkohemi për të mbështetur atë kandidat që do të zgjidhet me anë të një procesi të drejtpërdrejtë vetë masa e anëtarësisë, jo vetëm e PD-së. Kjo do të tregojë qartë se kush është kandidati më i mirë i opozitës. Këto janë zgjedhje lokale, ku kandidati ka shumë rëndësi”, tha Mediu.

“Duhet një “open primary” ku të përfshihet e gjithë opozita shqiptare, për të gjetur kandidatin më të mirë. Këtë gjë ia kam propozuar zotit Sali Berisha dhe zotit Lulzim Basha. Sot është në rrezik pluralizmi shqiptar dhe duhet të reflektojmë. Reflektimi më i mirë është që t’i japim besim qytetarëve që të vendosin për lidershipin politik dhe kandidatin për kryetar bashkie”, shtoi Mediu.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re