Serbia nuk ka sistemin raketor Iskander-M dhe as nuk e ka konsideruar apo po shqyrton vendosjen e një sistemi të tillë në territorin e saj, deklaroi Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në një përgjigje me shkrim për Zërin e Amerikës (VoA).

Bëhet fjalë për sisteme raketore të prodhimit rus me rreze veprimi prej më shumë se 500 kilometrash dhe qëllimi i tyre është të shkatërrojnë aeroportet, avionët, radarët dhe qendrat komanduese dhe komplekset e raketave të armikut, shton teksti i medias nga Uashingtoni.

Ato figurojnë si armë që, nëse është e nevojshme, mund të përdoren kundër burimeve të NATO-s.

Në përgjigje të Zërit të Amerikës, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë theksoi përkushtimin për neutralitetin ushtarak, i cili, siç thotë ai, ka hyrë në fuqi me vendimin parlamentar nga viti 2007.

“Në këtë aspekt dhe duke respektuar politikën e neutralitetit ushtarak, ne bashkëpunojmë me partnerë në mbarë botën, si në Lindje ashtu edhe në Perëndim, duke mos preferuar asnjë aleancë, organizatë apo shtet individualisht, gjë që është përparësia jonë”, tha Ministria serbe e Mbrojtjes.

Theksohet më tej se bashkëpunimi i Serbisë në fushën e mbrojtjes me Federatën Ruse është jashtëzakonisht i zhvilluar dhe ndjek marrëdhëniet tradicionalisht të mira dhe miqësore dypalëshe mes dy vendeve.

“Gjithashtu, vërejmë se vendi ynë në armatimin e Ushtrisë Serbe posedon dhe prokuron pajisje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e Bashkimit Evropian, por edhe nga Federata Ruse”, theksoi Ministria e Mbrojtjes.

Zëri i Amerikës raporton se historia për sistemin Iskander-M erdhi pasi një portal rus publikoi një artikull në lidhje me vendosjen e mundshme të sistemeve raketore ruse në Serbi, si një kundrapërgjigje ndaj pranisë ushtarake amerikane në rajon.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re