Shoqata Ndërkombëtare e Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS) ka realizuar përgjatë viteve të fundit një vlerësim të përputhshmërisë të bazës ligjore e rregullatore të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare me standardet ndërkombëtare.

 

Pas vlerësimit të realizuar nga një strukturë e posaçme e IAIS, me përbërje ekspertë dhe mbikëqyrës nga vende të ndryshme të Botës, me përmbushjen e kritereve dhe detyrimeve, Autoriteti ka aderuar në grupin e vendeve nënshkruese të Memorandumit të Bashkëpunimit të IAIS.

 

Drejtori i AMF, z. Ervin Mete nënshkroi zyrtarisht aderimin e AMF, që u bë autoriteti i 77-të mbikëqyrës nga 152 anëtarë të IAIS, që bëhet pjesë e Memorandumit. Gjatë ceremonisë së rastit, të zhvilluar në margjinat e Takimeve të Komiteteve dhe Seminarit Global të IAIS ishin të pranishëm zyrtarë të lartë të këtij organizmi, Kryetarja e Komitetit Ekzekutiv Vicky Saporta dhe Sekretari i Përgjithshëm Jonathan Dixon.

 

Në fjalën e mbajtur, znj. Saporta i uroi mirëseardhjen Shqipërisë në grupin e vendeve nënshkruese të Memorandumit. Ajo vlerësoi hapat e ndërmarra nga Autoriteti deri në anëtarësimin në Memorandum dhe u shpreh se kjo do t’i shërbejë AMF për një realizuar një bashkëpunim më të ngushtë me mbikëqyrësit e tjerë.

 

Nga ana e tij, Drejtori i AMF e cilësoi një arritje për Autoritetin aderimin në Marrëveshjen e Bashkëpunimit të IAIS. Z. Mete konsideroi se aderimi në MMoU do të jetë ndihmesë për shkëmbimin e informacionit, për një mbikëqyrje më efektive të grupeve ndërkufitare të sigurimeve. Ai tha gjithashtu se Autoriteti në bashkëpunim me IAIS do të përmbyllë vlerësimin e Parimeve Themelore Ndërkombëtare në sigurime (ICP), për të siguruar një avancim të mëtejshëm të praktikave mbikëqyrëse me standardet ndërkombëtare.

 

Memorandumi i IAIS përfaqëson një kuadër global përputhshmërie dhe konfidencialiteti, që i hap rrugën bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit mes mbikëqyrësve të tregut të sigurimeve. Përmes anëtarësimit në grupin e nënshkruesve të MMoU-së, AMF mund të shkëmbejë informacion dhe të japë ose përfitojë asistencë nga nënshkruesit e tjerë, në funksion të stabilitetit financiar dhe mbikëqyrjes efektike të tregut të sigurimeve. AMF është anëtar i IAIS që nga viti 2001.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re