Edhe pse parlamenti miratoi ligjin për rritjen e pagave për administratën publike, pagat e majit do të kalojnë siç janë pa ndryshimin me ligjin e ri. Kjo u bë e ditur nga ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj me qëllim përgatitjen e plotë të dokumentacionit për të shmangur vonesat.

“Miratuam tetë vendime të Këshillit të Ministrave por patën diskutime. Do të marrim pak më shumë kohë, duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës qëndrore të cilat preken nga këto vendime por janë dhe mbi 130 mijë të punësuar duke bashkuar këtu dhe të punësuarit në shëndetësi, në arsim, në fushën e sigurisë pagat e të cilëve u miratuan që në muajin Prill. Zbardhja e vendimeve dhe aplikimi i vendimeve merr një kohë më të gjatë.

Kjo është dhe arsyeja pse për të qenë më koherentë dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave ne u kemi kërkuar të gjitha institucioneve buxhetore të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e muajit Maj në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Duke marrë në konsideratë këtu që disa prej institucioneve në fakt titullarët e institucioneve që preken nga ligji i cili kaloi në Parlament mund të aplikoheshin pagat, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin Maj dhe ndërkohë ne me zbardhjen e vendimeve do instruktojmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për muajin Prill qoftë për muajin Maj.”, tha ministrja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re