Skip to content

Icardi-Dybala-Mandzukic, ekuacion me tri të panjohura mes Juves dhe Interit

As në pankinë, siç pritej. Në të vërtetë, as në “San Siro”. Mauro Icardi nuk ishte mbrëmë në stadium, së bashku me bashkëshorten e tij, Wanda Nara, për të parë fitoren e Interit kundër Lecce.

Dhe, më pak se një javë nga fundi i merkatos, misteri mbetet maksimal: cila do të jetë e ardhmja e argjentinasit? Në sfond, i zakonshmi Juventus.

Sidoqoftë, shkëmbimi që përflitej (deri më tani) me Paulo Dybala duket pak konkret. Një marrëveshje, që mund të diktohet ditët e fundit të merkatos.

Sipas “Gazzetta dello Sport”, Fabio Paratici dhe Beppe Marotta folën në telefon gjatë fundjavës për mundësinë e shkëmbimit të dy argjentinasve.

Shkurt, kjo është dëshmi e shkrirjes së tensioneve të shkaktuara nga ndarja e Marotta me Juventusin dhe, më pas, zbarkimi i këtij të fundit si drejtues tek Interi.

Sidoqoftë, është herët të thuhet se është shtruar rruga për shkëmbimin Dybala-Icardi. Gjithashtu, sepse bardhezinjtë më shumë se “Joya” duan t’iu ofrojnë zikaltërve një lojtar tjetër; Mario Mandzukic.

35 milionë euro plus sulmuesin kroat, për të qenë të saktë; kjo është oferta e Juventusit për ish-kapitenin e Interit.

Një hipotezë që nuk gjeti pëlqimin e Interit, dukshëm jo shumë i bindur nga këndvështrim ekonomik dhe teknik. Paratici dhe Marotta janë ndarë me premtimin e pashkruar për të folur përsëri, ndoshta para skadimit zyrtar të merkatos, të planifikuar për të hënën, më 2 shtator.

Juventus nuk e heq vëmendjen nga Icardi, i cili nga ana e tij është jashtë projekteve të Interit. Ashtu siç Dybala nuk është më në qendër të projekteve të Juventusit.

Ndërkohë, një gjë është e sigurt: Mandzukic nuk do të shkojë në Milano.