A ka ndryshuar ndonjë gjë? Po, një ditë më pak në kalendar për një rrugëdalje, nga sa mund të gjejë Mauro Icardi; një tunel që nuk ka dritë në fund.

Një “telenovelë”, për fundin e së cilës mund të vësh nga një bast ditë për ditë. Asnjë zgjidhje, sidoqoftë. Kjo është sinteza ekstreme e situatës së Mauro Icardi.

“Seria” e fundit pa një bisedë (dje) në “Appiano Gentile” midis ish-kapitenit zikaltër, presidentit Steven Zhang dhe Beppe Marotta. Kuptimi i fjalëve të këtyre dy të fundit ishte i qartë; riafirmoi pozicionin e klubit, pa asnjë rrugëdalje, pa ndonjë mundësi që të rikthehet mbrapa vendimi për lojtarin.

Ai, në cilindo rast, nuk mund të mbetet te zikaltrit. Asgjë ndryshe nga e kaluara, përveçse Zhang mori vetë pjesë në takim. Jo rastësisht.

Prania e presidentit ka shërbyer për të forcuar qëndrimin e qartë të klubit, sidomos pas deklaratave publike të fundit të Wanda Nara, se “bosi e ka këshilluar Mauro të qëndrojë”. Nëse nga njëra anë pozicioni nuk ndryshon, nga ana tjetër ndodh e njëjta gjë.

“Unë qëndroj këtu”, – ka qenë qëndrimi i prerë i Icardit. Asnjë hap prapa, ose përpara, në varësi të këndvështrimit të palëve. Argjentinasi nuk lëviz. Dhe kështu, një lëvizje drejt Juventusit apo Napoli bëhet gjithnjë e më e ndërlikuar.

Icardi vazhdon të hedhë poshtë çdo skenar, që nuk e mban në “Appiano”, megjithëse është i vetëdijshëm se klubi nuk do të heqë dorë nga vendimi për ta përjashtuar atë nga projekti teknik i Contes.

Përkundër sfondit të çështjes, është e qartë se pasojat juridike nuk mund të përjashtohen. Icardi mund të hapte një proces gjyqësor kundër klubit, një eventualitet që edhe Interi nuk e përjashton.

Objektivi, padyshim, do të ishte që Icardi të pranojë përfundimin e kontratës, në mënyrë që të jetë i lirë të zgjedhë të ardhmen e tij.

Ende ka shpresë për ta shitur në shtëpinë zikaltër. Nëse shkëmbimi me Dybala mbetet shumë i ndërlikuar, ekziston mundësia që oferta e De Laurentiis ta joshë përfundimisht Mauro.

Napoli në fakt ka bllokuar Llorente, ka gati një plan B. Nëse nuk mbyllet blerja e sulmuesit spanjoll, kjo do të thotë se nënkampionët e Italisë kultivojnë pak shpresë se Icardi mund të ndryshojë mendje.

Sinjalet e djeshme, me të vërtetë, shkojnë në drejtim të kundërt. Dhe koha po mbaron. E premtja është vija e kuqe, pas së cilës “unë qëndroj këtu” e Mauro do të jetë me të vërtetë një realitet.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re