Protestuesit në Bruksel, kryeqyteti i Belgjikës dhe njëherësh i BE-së, i vunë flakën hyrjes së një stacioni policie dhe një automjeti policie gjatë një proteste mbi vdekjen e një të riu me origjinë afrikane, i cili ndërroi jetë pasi u ndalua nga policia.

Qindra qytetarë u mblodhën para stacionit të policisë, pranë stacionit të trenit në veri të Brukselit, për të protestuar ndaj vdekjes së ntë riu 23-vjeçar me origjinë afrikane me emrin Ibrahim Barrie.

Gjatë protestës u hodhën parulla si “Jeta e zezakëve është e rëndësishme”, “Drejtësia për Ibrahimin”, “Policët vrasës”. Protestuesit më pas filluan të gjuanin me gurë në stacionin e policisë, pas së cilës, anëtarët e forcave të sigurisë u përgjigjën duke përdorur ujë me presion. Protestuesit më vonë i vunë flakën hyrjes së stacionit të policisë dhe një makine policie.

Gjatë trazirave, xhamat e makinave të shumta të policisë u thyen ndërkohë që protestuesit dëmtuan ATM dhe dyqane në rrugët përreth. Ndërkohë, ata gjithashtu gjuajtën me gurë automjetin e Mbretit Filipi, i cili ndodhi që po kalonte nëpër rajonin ku po zhvilloheshin protestat. Makina u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk dihet nëse monarku ishte në automjet në atë kohë.

Disa protestues u plagosën gjatë ndërhyrjes së policisë. Të plagosurit u dërguan në spital dhe disa demonstrues u ndaluan.

Kujtojmë se policia arrestoi të riun Ibrahim Barrie me arsyetimin se ai nuk u përmbahej masave të marra në luftën kundër koronavirusit. Eshtë pohuar se Barrie regjistroi një video të policisë me celularin e tij dhe më pas u largua.

Barrie, i cili u arrestua dhe u dërgua në stacionin e policisë, humbi ndjenjat një orë më vonë dhe vdiq në spitalin ku u transferua. Prokuroria ka nisur një hetim për vdekjen e të riut.

Ky zhvillim në zemër të Europës, në kryeqendrën e saj, të kujtojmë reagime të ngjashme, por me prapavijë të fortë politike, disa javë më parë në Tiranë, pas vrasjes së të riut Klodian Rasha. I ndjeri, 26 vjeç, e pësoi nga një e shtënë prej një efektivi policor në terrin e natës, ngjarje e ndodhur gjatë orës policore COVID.

Ngjarja ende po hetohet, jo si ndodhi por pse ndodhi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re