Pedagoge Lili Sula e ftuar në emisionin ‘Identitet’ shprehet se bejtet janë pjesë e rëndësishme e letërsisë së vjetër shqipe, edhe pse nuk janë botuar këto vepra kanë ngelur nëpër deftere ku janë dëgjuar në ceremoni të ndryshme fetare apo familjare si dhe në mbrëmjet e ndryshme të sarajeve të sulltanit.

Sipas pedagoges Sula, një pjesë e bejteve jo vetëm të japin kënaqësi estetike, por përcjellin edhe moralin ku në ambjentet familjare dhe në komunitet kanë qenë shumë të afërta nga pikëpamja shpirtërore dhe fetare.

“Është pjesë e rëndësishme e letërsisë së vjetër shqipe, është një pjesë e rëndësishme po kaq sepse një pjesë e këtyre veprave e këtyre autorëve janë zëdhënës të letërsisë së rilindjes, pra fill pas mbarimit të letërsisë së bejtegjive në kuptimin relativ të fjalës asgjë nuk mbaron në letërsi si një gjendje fizike është një vijueshmëri, është një proces gjithë letërsia.

Këto vepra nuk u botuan, këto vepra ngelën nëpër defter, pra nëpër fletore të shkruara, në ceremoni të ndryshme, në ceremoni fetare, në ceremoni familjare në festa të ndryshme, tek oborri i një xhamije, tek mbrëmje të ndryshme të sarajeve të sulltanit ose në ambjente të tjera, por mbeten të pabotuara.

Dihet që fakti i mosbotimit të një vepre e cënon qarkullimin. Qarkullon ndryshe një vepër e botuar dhe qarkullon ndryshe përmes qarkullimit gojor ose oral një vepër tjetër. Një pjesë e vargjeve të veprave të “Divanit”, të Sulejman Naibit, të Zenel Bastarit janë bërë popullore sepse kanë kaluar gojë me gojë nga brezi në brez.

Një pjesë e mirë e tyre japin jo vetëm kënaqësinë estetike, por përcjellin edhe moralin e tyre dhe sigurisht edhe brenda familjeve edhe brenda një komuniteti të caktuar kanë qenë shumë të afërta edhe nga pikëpamja shpirtërore, nga pikëpamja religjionit, por të transmetuar në këtë formë”- tha Sula.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re