Avokati Altin Goxhaj, i ftuar në emisionin ‘Identitet’ u shpreh se nuk e ndan dot fjalën atdhe nga mëmëdhe pasi kanë kuptimin e përbashkët që është familja dhe një gjë të tillë nuk e gjen në vendet e tjera sepse këtë qasje kaq të bukur e kanë vetëm shqiptarët.

Sipas Goxhajt, për atdheun mund të vritesh, ndërsa për mëmëdheun qan dhe janë dy pjesë të dashurisë që shqiptarët e kanë kaq të bukur, si dhe përcaktojnë dhe fjalën atdhedashuri.

“Unë nuk e ndaj dot fjalën atdheu nga memëdheun, por të dyja fjalët kanë kuptimin e përbashkët që është familja dhe është e vështirë të gjesh në vendet e tjera një qasje kaq të bukur sa e kanë shqiptarët.

Atdheu dhe mëmëdheu përcaktojnë edhe atë që është fjala më e bukur si përkthehet patriot në shqip është atdhedashuri. Po ta kapësh gjithë këtë lloj semantike kaq të bukur ti e kupton shumë mirë që ne kemi diçka unike, të veçantë me pak germa at-dhe.

Kur e mendon në gjuhët e tjera e kupton që këtu kemi një veçanti që e lidh kaq ngushtë dheun ku jeton me veten tënde sa s’ka ku të vejë.

Për atdheun mund të vritesh, por për mëmëdheun qan. Për atdheun nuk qan, por lufton, kurse për mëmën qan. Janë dy pjesë të dashurisë që shqiptarët e kanë kaq të bukur. Fjalën atdhedashuri e gjen kaq pak në tekstet tona shkollore”, u shpreh Goxhaj.

(S.D/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re