Shpëtim Idrizi ishte i pari që u fut në Presidencë paraditen e kësaj të premteje, në kuadër të diskutimeve mes kreut të shtetit dhe forcave politike për datën e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në 2021.

Mirëpo në kohën kur fokusi është tek kjo cështje, kreu i PDIU ka pasur një shqetësim më të madh për ti transmetuar Presidentit Meta, atë të kufirit detare me Greqinë.

 

Idrizi ka shfrytëzuar rastin e këtij takimi në Presidencë për të shprehur të gjithë kundërshtinë e tij në lidhje me zgjerimin e mundshëm të Greqisë në detin Jon.

 

Ai shtoi se vlerëson tërheqjen e Ramës ditët e fundit në deklaratat publike  por shton se Greqia do të vazhdojë të kërkoje të zgjerohet në Jon në dëm të Shqipërisë, edhe PDIU do të kërkoje me force Çamërinë.

 

 

Më vjen mirë që ditët e fundit kryeministri ka bërë një tërheqje dhe pasi u kërkoi njerëzve të lexojnë, e ka lexuar edhe vetë pikën 15 të Konventës. Qeveritë shqiptare janë në sindromën e Shën Naumit dhe qeveria shqiptare nuk duhet të diskutojë më për kufijtë detarë e tokësorë me Greqinë.Shqipëria ka lëshuar gati 30% të territorit të saj, e kam fjalën për Çamërinë. Ne nuk kemi çfarë bisedojmë me Greqinë për ujërat territorial, por vetëm për zonat ekonomike. Nëse Greqia do të hapë çështje të tilla, pa dyshim që ne do të kërkojmë Çamërinë. I bëra të qartë Presidentit që bisedimet mes dy vendeve duhet të fillojnë nga heqja e ligjit të luftës, të vazhdojnë me zgjidhjen e çështjes çame.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re