Nga Adriatik Doçi
“Dera ishte e mbyllur…i bie më fort, kur nga mbrapa, dëgjoj një zë që nuk ishte as burrë as grua, i cili më thotë “Ik se do të lëshojmë Rulin dhe Nishanin”. Kështu u shpreh mjeku i njohur Halim Kosova kur kuptoi se nuk ishte më në planet e Lulzim Bashës për t’u bërë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë.
Përpos mekanizimit okult të hartimit të listës dhe luftës mes klaneve në Partinë Demokratike, rrëfimi i Halim Kosovës nxjerrë në pah rolin e sekretarit të Përgjithshëm Gazment Bardhi si ‘dora’ e Lulzim Bashës për mënjanimin e figurave të padëshiruara, pra si njeriu që të hap ose të mbyll derën në Partinë Demokratike.
Rrëfimi i Halim Kosovës, ish-deputet i PD-së dhe kandidat për kryebashkiak të Tiranës konfirmon gjithashtu se komisioni i famshëm ‘Nishani’ ishte thjeshtë një alibi e Bashës dhe Bardhit për ‘larjen e hesapeve’ në PD.
Dy ditë më parë, Mark Marku, pasi refuzoi mandatin e deputetit, rrëfeu prapaskenat e hartimit të listës së kandidatëve për deputetë në Partinë Demokratike. Gazment Bardhi portretizohet si njeriu që i pëshpërit në vesh Lulzim Bashës se kë duhet të heqë dhe të vërë në listën e kandidatëve për deputetë.
Bardhi qëndron në krahun e Bashës duke dhënë argumente dhe kundër argumente nëse një kandidat potencial duhet të hiqet apo të vihet në listë. Debati i Mark Mark Markut me Bashën dhe Bardhin është zhvilluar për kandidaten Elda Hoti, e cila lëviz sa nga LSI, PR tek PD-ja.
“Për zonjën Hoti (nuk e dija fare sepse kisha propozuar një djalë të mirë, mësues, duke i thënë se nuk do jesh te lista fituese por do të promovoj. Në një moment e heqin dhe fusin këtë Eldën që unë nuk ia kisha dëgjuar emrin. Nuk e dija që ishte deputete. Më thanë të fusim këtë. Lulzim Basha dhe Gazment Bardhi e kanë futur. U thashë nuk e njoh kush është kjo.
Është deputete më thanë, aq më keq u thashë, nuk e njeh askush. Deputete e LSI-së, u thashë, por a jeni në vete!. Kishte qëndruar në Parlament duke thyer vendimin e opozitës. U thashë absolutisht jo. Mbas një dite më thanë nuk kemi çfarë ti bëjmë aleatit, e futën përmes partisë së Mediut. Nuk e dija që do dilte ajo, i pesti atje është Zef Gjoka, një nga burrat më te nderuar të Lezhës”, ka pohuar Mark Marku.
Skandali i ngritjes së grupit paramilitar nga Partia Demokratike, të quajtur “Struktura për Mbrojtjen e Votës”, nxori në skenë pikërisht Gazmend Bardhin. Anëtari i kësaj strukture të paligjshme, Arbër Papleka, vrau katër ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, Pjerin Xhuvanin, një personazh me influencë në Elbasan, i cili i shihej si rrezik nga PD-LSI për realizimin e objektivave elektoralë.
Pas vrasjes, Gazmend Bardhi pranoi publikisht strukturën paramilitare, duke u shfaqur si njeriu që kishte nën patronazh grupin e armatosur në Elbasan. Struktura e paligjshme paralele u dënua nga SHBA-BE, por megjithatë, deri më sot, drejtësia nuk ka vepruar mbi ideatorët, drejtuesit dhe anëtarët e paraushtarakëve të PD-së.
Gazment Bardhi analizon edhe humbjen e zgjedhjeve nga Partia Demokratike. Në 15 korrik të këtij viti, Kryesia e PD-së analizoi një dokument, i cili analizonte humbjen e PD-së në zgjedhjeve të 25 prillit 2021. Sipas analizës, PD-ja kishte ‘korrur një sukses’ në Qarkun e Elbasanit, ku fushata drejtohej nga Bardhi, ndërsa në qarqet e tjera kishte pësuar humbje. Analiza u kundërshtua nga drejtuesit politikë të qarqeve, të identifikuar si humbjes.
“Ky dokument nuk është realist. Nuk pasqyron atë që drejtuesit politik kane shkruar ne raportet e tyre. Duhet ndryshuar dokumenti, nuk mund ta miratojmë në këtë mënyre si është hartuar”, ka deklaruar Edi Paloka, i cili drejtonte fushatën në Durrës.
Në fakt, në zgjedhjet e 25 prillit 2021 në Elbasan, Partia Demokratike pësoi një disfatë si në qarqet e tjera, ndërsa Partia Socialiste u rrit me rreth 20 mijë vota. Analiza, e cila prodhoi polemika në Kryesi, reflekton dorën e Gazmend Bardhit.
Po si depërtoi Gazment Bardhi në PD? Në vitin 2012, kur Partia Demokratike ishe në pushtet, Bardhi ishte këshilltar i Eduart Halimit, në atë kohë Ministër i Drejtësisë.
Në vitin 2013, u punësua si këshilltar ligjor pranë Kuvendit të Shqipërisë. Megjithatë, Gazmend Bardhi ishte një personazh anonim deri kur u shfaq në vitin 2016, si ekspert në Komisionin për Reformën në Drejtësi, duke kundërshtuar reformën bashkë me Oerd Bylykbashin.
Lufta e Bardhit në krah të PD-së kudër përmbajtjes së ndryshimeve Kushtetuese të korrikut 2016 dhe ligjeve bazë të reformës në drejtësi, është e dokumentuar.
Më pas, Bardhi është shfaqur si këshilltar i Lulzim Bashës. Ky i fundit i besoi edhe postin e ministrit teknik të Drejtësisë pas marrëveshjes së bashkëqeverisjes më kryeministrin Edi Rama në 17 maj 2017, si kusht që PD-ja të futej në zgjedhjet parlamentare.
Në janar të vitit 2019, Gazment Bardhi u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i PD-së me mbështetjen e Bashës. Bardhi u rikonfirmua në pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm disa ditë më parë, sërish me mbështetjen e Lulzim Bashës, i cili po kalon momentet më kritike në karrierën e tij politike.(Shqiptarja.com)