Skip to content

Ikën Meta, vjen Bajram Begaj/ Sot, ceremonia e betimit të Presidentit të ri

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Pesë vitet e Ilir Metës president përfunduan. Në krye të shtetit vjen Bajram Begaj. Ish-shefi i shtabit të përgjithshëm të forcave të armatosura betohet sot.

 

Në një seancë të veçantë, parlamenti do të mblidhet për ceremoninë betuese të Bajram Begaj. Pasi të betohet se do të mbrojë kushtetutën dhe të mbajë fjalën e parë para të zgjedhurve të popullit, kreu i ri i shtetit do të shkojë në presidencë.

 

Ceremonia e pritjes së Bajram Begaj dhe përcjelljes së Ilir Metës do të zgjasë 45 minuta. Me dorëzimin e kushtetutës nga kryetarja e gjykatës kushtetuese Vitore Tusha, Bajram Begaj nis detyrën e tij të re.

 

Ceremonia e betimit pritet të bojkotohet nga kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha dhe deputetët mbështetës të tij. Do të shihet nëse do të jenë deputetët demokratë që njohin si drejtues Enkelejd Alibeaj dhe aleatët e PD-së.

 

Për pesë vitet e ardhshme institucioni i presidentit do të drejtohet nga Bajram Begaj, i propozuar nga Partia Socialiste dhe i zgjedhur po me votat e saj dhe të aleatëve të pazyrtarizuar, deputetët e Partisë Social-Demokrate të Tom Doshit.

 

E gjithë Partia Demokratike dhe aleatët e saj e bojkotuan procesin e votimit në seancën e 4 qershorit. Të vetmit që morën pjesë ishin deputetët e LSI dhe të PDIU-s, madje njëri prej tyre i dha votën pro.

 

Nga Partia Demokratike zgjedhja e presidentit është cilësuar jokushtetuese, ndërsa nga mazhoranca qeverisëse një figurë jopartiake, përbashkuese dhe shëmbëlltyra e normalitetit.

 

Bajram Begaj vjen në krye të shtetit me premtimin se do të respektojë në mënyrë të barabartë çdo përfaqësues të popullit ndërsa Ilir Meta largohet si presidenti që u përplas me shumë se çdo paraardhës i tij me qeverinë. Po aq në historinë e marrëdhënieve të qeverisë me presidentin, Ilir Meta do të kujtohet si presidenti që Edi Rama u përpoq dy herë ta shkarkonte, por një herë e rrëzoi Komisioni i Venecias dhe herën tjetër Gjykata Kushtetuese.

 

Refuzimi i dekretimit të ministrit të brendshëm Sandër Lleshaj në 2018 dhe të jashtëm Gent Cakaj në 2019 nisi sagën e përplasjeve mes Edi Ramës dhe ILir Metës. Ato u thelluan me zhdekretimin e datës së zgjedhjeve vendore të qershorit të 2019-ës, daljen kundër me dekret për shembjen e Teatrit Kombëtar, të paprecendetën protestë të thirrur nga një president apo mosdekretimi i një numri të madh ligjesh të propozuara dhe miratuara nga Partia Socialiste.

 

Ky konflikt institucional i zhvilluar përgjatë pesë viteve pritet të vazhdojë, por tanimë nga të tjera llogore. Pasditen e së hënës, Lëvizja Socailiste për Integrim do te zhvillojë konventën e saj, ku Ilir Meta pritet të rikthehet në krye të LSI-së.Pak orë para se Ilir Meta të zhveshë kostumin e presidentit dhe të veshe atë të kryetarit të LSI-së, e quan një nder dhe privilegj të jashtëzakonshëm që të shërbente si kreu i shtetit për pesë vite. Kombit dhe atdheut i uron më të mirën.

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë