Një familje afgane e strehuar në Tiranë, që iku nga vendi i vet për t’i shpëtuar regjimit taliban, rezulton e infektuar me Covid-19.
Prindërit e kësaj familje dhe tre fëmijët janë të gjithë të infektuar me koronavirus, por në spital ndodhet vetëm vajza 2 vjeçare, Rana Papal.
Nëna me dy fëmijët e tjerë qëndrojnë në shtëpi, ndërkohë babai qëndron pranë vajzës në spital, shkruan ‘Syri Tv’.
Fëmija 2-vjeçe, Rana Papal me datëlindje 23 maj 2019, aktualisht po merr trajtim spitalor në repartin Covid në spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’. Mësohet se vajza rezulton e shtruar në spital që prej datës 31 gusht 2021.
Sipas informacioneve nga burime të sigurta konfidenciale, mësohet se edhe e nëna e vajzës është prekur nga virusi Sars-Cov-2, por kjo e fundit nuk është hospitalizuar, madje qëndron me dy fëmijët e tjerë në kryeqytet, ku janë strehuar se bashku me familjet e tjera afgane.
Dyshimet janë se pjesëtaret e familjes Papal kanë qenë të infektuar që prej momentit kur kanë ardhur, ndërsa nga ana e instancave shtetërore është raportuar se për afganët e strehuar është bërë kontroll shëndetësor në Rinas, por pa saktësuar nëse u është bërë tampon për të vërtetuar nëse janë të infektuar me COVID-19.
Aktualisht në total janë 11 fëmijë të shtruar ne repartin Covid në Pediatri, gjendja e te cilëve është e stabilizuar.
Me mbërritjen e 37 shtetasve të tjerë afgane në orët e para të mëngjesit te 2 shtatorit, ka shkuar në 644 numri total i afganëve të ardhur në më shumë se një javë në Tiranë. Informacionet zyrtare ne lidhje me afganet janë përqendruar ne strehimin e tyre në Qytet Studenti dhe transferimin në ditët në vijim në strukturat hoteliere në bregdet, por deri me tani nuk ka pasur asnjë informatë ne lidhje me gjendjen e tyre shëndetësore.
(E.H/Faxweb.al)
…
/faxweb