Nga Adriatik Doçi

Komisioni i Vetingut ka shkarkuar sot nga detyra gjyqtarin e Apelit në Durrës, Tritan Hamitajn, për fshehje pasurie, kontrata fiktive huaje, mungesë burimesh dhe deklarime të pasakta rreth pasurisë. Tritan Hamitaj ka qenë pjesë e Këshillit të Lartë të Drejtësisë gjatë periudhës 2010-2015.

Hamitaj bëhet kësisoj anëtari i gjashtë i ish-KLD-së së famshme që largohet nga drejtësia për shkak të veprimit të ligjit të Vetingut. Këshilli i Lartë i Drejtësisë me në krye Bujar Nishanin deri në vitin 2017 dhe më pas Ilir Metën, është një nga institucionet e drejtësisë së vjetër më të kritikuarat nga raportet ndërkombëtare për mbrojtjen e gjyqtarëve të korruptuar dhe KÇK, vlerësimin fiktiv të gjyqtarëve, emërimet politike dhe klienteliste në sistem dhe së fundmi, para së të shkrihej në fund të vitit 2018, për angazhimin në krah të Partisë Demokratike kundër ligjit të Vetingut.

Në muajin korrik 2020, dha dorëheqjen nga drejtësia një tjetër anëtar simbol i ish-KLD-së, Gjin Gjoni, nga frika e përballjes me Vetingun. Në letrën e dorëheqjes së depozituar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, institucionin që ka zëvendësuar KLD, Gjin Gjoni, shkruan se u largua nga drejtësia pasi ishte kontaktuar për të kandiduar për deputet në listat e Partisë Demokratike. Para së të përballej me Vetingun, në 10 tetor 2019, dha dorëheqjen nga drejtësia edhe Astrit Haxhialushi, anëtar i ish-KLD. Haxhialushi dha dorëheqjen me pretendimin se është sëmurë.

Në tetor të 2019 ka dhënë dorëheqjen nga drejtësia, para se të përballej me Vetingun, edhe gjyqtarja Eneida Civici, anëtare e ish-KLD-së. Në 18 korrik 2019, Komisioni i Vetingut shkarkoi nga detyra një tjetër anëtar të ish-KLD-së, Ilir Mustafaj, për probleme me pasurinë.

Në 31 korrik 2018, shkalla e parë e Vetingut shkarkoi nga detyra gjyqtarin Artan Bronci, anëtar i ish-KLD-së, për fshehje dhe mosjustifikim pasurie. Vendimi u la në fuqi edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut.

Që të gjithë këto anëtarë kanë bashkuar votat duke marrë vendime të kritikuara dhe të shumëdebatuara si për mbrojtjen e gjyqtarëve që Ministria e Drejtësisë kërkonte të shkarkoheshin nga detyra për praktika abuzive, ashtu edhe për emërime dhe rritje në detyrë të gjyqtarëve. Ndërkaq, nuk ka ende vendim nga organet e Vetingut për tre ish-anëtarë të tjerë të KLD, Vangjel Kosa,

Neritan Cena DHE Gerd Hoxha. Pjesë e KLD-së kanë qenë edhe Ridvan Hado, Brunilda Kadi dhe Petrit Çomo, të cilët janë konfirmuar në detyrë nga organet e Vetingut.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re