“Për Xhodën tonë, fjalët nuk mjaftojnë, për largimin e tij
fjalët vështirë të dalin”…

Regjisori Esat Musliu është i tronditur nga ndarja e parakohshme nga jeta e kolegut. Xhevdet Ferrin e ka pasur si protagonist në dy filmat e tij “Hije që mbeten pas” dhe “Vitet e pritjes” dhe vlerëson tek ai artistin e madh dhe njeriun dinjitoz.

“Ka qenë një aktor i mrekullueshëm. Kam bashkëpunuar në dy filma. Mbeta shumë i kënaqur nga interpretimi i tij në ‘Hije që mbeten pas’, saqë e desha në filmin tjetër, bashkë me bashkëshorten, Rozetën”.

E tregon të komunikueshëm dhe të përkushtuar ndaj rolit.
“Ishte një aktor i rangut të lartë. Bënte një punë shkencore me rolin. Figura e
tij ishte shumë e arrirë nga ana interpretative. Bashkëpunonte me regjisorin,
por edhe vetë e pasuronte rolin me shumë detaje”. Miqësia e tyre lindi që kur
Ferri qe në vitin e fundit të studimeve në Akademi.

“Sigurisht që ai pati një karrierë të shkëlqyer në filma,
por po aq dinjitoze qe edhe karriera e tij administrative. Ka qenë dy herë
drejtor i Qendrës Kombëtare Kinematografike, drejtor i Teatrit Kombëtar, por
edhe deputet për një periudhë të shkurtër… kudo la gjurmë të mira”.

Asnjë nga këto funksione nuk e cenoi personalitetin e
Ferrit, siç miku i tij tregon, përkundrazi ai ishte gjithmonë bashkëpunues dhe
në shërbim të kulturë e artit. Kontributi i Xhodës me 30 role si aktor në
kinematografi është i vazhdueshëm dhe sigurisht që për të konsoliduar figurën e
tij, i është dashur të përballet edhe me momente të vështira në sheshxhirim,
derisa skena të ishte në perfeksion.

“Te filmi ‘Hije që mbeten pas’, ka qenë një skenë shumë e vështirë, ku Xhevdeti në rolin e Agronit është te shkallët e Amfiteatrit, te Liqeni Artificial, dhe zbulon sekretin e hetimeve, që po i bëhen të atit të partneres, Matilda Makoçit (Marjeta, në film).

Ishte tepër e fortë skena kur Matilda i jep një grusht me para, që të mbyllej çështja e babait të saj. Një moment tepër dramatik që Ferri e përballoi me nivel të lartë artistik”, tregon Musliu.

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re