Është pothuajse e sigurt se ish-presidenti afgan Ashraf Ghani nuk u largua nga Kabuli kur talebanët morën pushtetin duke mbajtur miliona dollarë të vjedhura, por një shumë më të vogël, sipas një raporti zyrtar të SHBA-së, i cili do të publikohet më vonë të martën.

Megjithatë, raportit ende i mungojnë përgjigjet për pyetjet e dërguara Ghani-it nga kryehetuesi për rindërtimin e Afganistanit (Sigar).

Ish-presidenti afgan dhe zyrtarë të tjerë janë akuzuar për vjedhjen e 169 milionë dollarëve që i përkasin qeverisë afgane.

“Edhe pse Sigar zbuloi se paratë ishin marrë nga pallati presidencial dhe ishin ngarkuar në helikopterë, provat tregojnë se shuma totale nuk i kalonte 1 milion dollarët dhe se ka shumë të ngjarë të ishte rreth 500,000 dollarë”, thuhet në raport.

Dëshmitarët thanë se nuk panë shuma të mëdha parash në helikopterët tashmë të ngarkuar me pasagjerë.

Shuma prej 169 milionë dollarësh do të ishte në blloqe kartëmonedhash me peshë gati dy ton dhe një madhësi shumë të dukshme, tha kryehetuesi në një raport, duke shtuar se të anketuarit panë të pandehurit të hynin në helikopterë vetëm me bagazhe të lehta.

Ish-zyrtari i lartë është i bindur se askush nuk mori miliona, por një person mbante rreth 200,000 dollarë, një tjetër rreth 240,000 dollarë, ndërsa të tjerët kishin në xhepat e tyre nga 5,000 deri në 10,000 dollarë.

“Nëse kjo është e vërtetë, shuma totale e parave në këta tre helikopterë do të ishte rreth 500,000 dollarë, nga të cilat 440,000 dollarë i përkisnin qeverisë afgane”, thuhet në raport.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re