Ishte mëse e arsyeshme, po aq dhe heroike në një sens, që kryeministri Rama të “prishte gjumin” ato ditë tragjike të fund 2019-ës. Një tërmet i rëndë kishte goditur Shqipërinë e Mesme, me pasoja dhjetra jetëhumbje e shumë shkatërrime, me kosto të lartë në ekonominë e vendit.

Rama e niste ditën me mbledhje qeverie që në 7.00 të mëngjesit, me sy të buhavitur nga pagjumësia, duke u sforcuar të gjente zgjidhje për qindra familje të mbetura jashtë në nisje të një dimri.

Ishte emergjencë në çdo aspekt. I kish rënë atij për hise kjo fatkeqësi e duhet t’ja dilte. Ngjashëm i ka rënë për hise një tjetër lloji tërmeti, social e ekonomik bashkë: ikjet. Janë sa prej qeverisjes së tij, jo siç duhej, por më shumë janë jashtë qeverisjes së tij, si një fenomen tej shqiptar, prej një trendi gati gjysmë global, shpërthyer vitet e fundit nga një shumicë faktorësh, duke bërë fenomenin shumë kompleks. Megjithatë, në emër dhe të një lloj egocentrizmi që e karakterizon, në prirjen për të bërë diferencën në shumëçka dhe me shumëkënd të ngjashëm, ai do duhej ta prishte gjumin sërish, siç në javët e tërmetit fatal, për të gjetur mënyra e provuar skema frenimi të ikjeve, pa u mjaftuar të ngushëllohet me faktin se kjo po ndodh dhe te fqinjë rajonalë apo më gjerë.

Ramës duhet t’i vijë plasja që kjo, fjala vjen, nuk ka ndodhur në qeverisjen e Berishës. Madje ka ndodhur e kundërta. Jo për meritë të Berishës, por nga një kontekst tjetër zhvillimor e global, nën qeverisjen e këtij të fundit, ku veçon mandati i parë 2005-2009, kishte një valë kthimesh në Shqipëri nga të ikurit e viteve ’90-të.

Ndërsa për paradoks, teksa Rama promovon një rilindje shqiptare, Shqipëria sa vjen e bëhet “më e urryer për atë dot horr dot nuk bëhet e shumë e dashur për çdo maskara”, sipas një thënieje të tij të dikurshme, e cila i është shndërruar në boomerang tashmë që po qeveris.

Deri më tani, që kur u shfaq fenomeni i ikjeve në 2016-ën, me një trend shqetësues, Rama nuk ka hartuar asnjë strategji të posaçme frenimi, duke ndërthurur masa ekonomike me risi sociale. Le ta provonte, pra dhe në emër të atij egocentrizmi njerëzor që e ka të theksuar, të cilin e shfaq dhe si egocentrizëm politik apo ideor. Sepse dhe në krizën pandemike, paçka të qënit e një flame globale, te ai nuk mungoi ai lloj egocentrizmi për t’i treguar botës se ai përballet më suksesshëm se të tjerët me “armikun e padukshëm”.

Jo thjesht nuk është në nderin apo dinjitetin e tij që ta lërë këtë fushë pa lëruar – krijimin e një strategje frenimi ikjesh si një flamë e rëndë sociale dhe ekonomike për Shqipërinë – por nuk është as në tipin e tij. Ndaj është koha që ai të prishë gjumin, si në tërmetin e fund 2019-ës! /tesheshi.com/        

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re