Për shkak të projektit Thumanë – Kashar, disa familjeve të fshatit Bërxullë do t’u prishen banesat sot (15 prill), ndërsa familjarët janë ngritur në protestë, për shkak se sipas tyre nuk do të dëmshpërblehen.
Ata janë ngjitur në tarracën e banesës dhe kërcënojnë se do të digjen me benzinë, nëse shteti nuk u ofron zgjidhje.
Disa prej tyre i janë drejtuar qendrës administrative të Kasharit, ku kanë kërkuar kontratat e qirasë për banesën sociale.
Zyrtarët e qendrës i kanë kthyer përgjigje “s’i kemi”, pavarësisht se autoritetet iu është komunikuar se ata ishin të pajisur me kontratë qiraje pë 3 vite.
Në videot e siguruara nga gazetarja Klodiana Lala dëgjohet biseda e dy përfaqësuesve të banorëve që preken nga shembja për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar, me punonjës të kësaj njësie, të cilët thonë se nuk kanë kontrata qiraje për ta.
“Ne na ka ardhur IKMT te shtëpia. Administratori na tha; shkoni te njësia administrative e Kasharit, se e keni kontratën gati për banesë sociale. Po na presin neve. A keni gjë për të na dhënë?”, dëgjohet teksa thotë një nga banorët. Ndërkohë zyrtari thotë se; “Jo nuk kam”.
Kujtojmë se nga ky projekt preken 6 familje, të cilat kundërshtojnë shembjen e banesave, ndërsa theksojnë se nuk janë përfshirë në skemën e dëmshpërblimit.
