Themeluesja e Fondacionit të Sindromës Down, Emanula Zaimi denoncoi në prill të këtij viti pranë Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale skandalin me patronazhistët.

“Unë vendosa ta bëj denoncimin te Komisioneri pasi në dijeninë time nuk di ti kem dhënë diku dhe aq më tepër për tu përpunuar, e tashmë me shumë mundësi ti ketë çdo shqiptar në dorë”, tha Emanuela Zaimi në 23 prill.

Mirëpo përgjigja që i ka ardhur nga Komisioneri është që nuk mund të gjendet kush ka qenë përgjegjësi për shpërndarjen e parë të të dhënave.

Komisioneri i ka dhënë edhe një këshillë Zaimit, duke i sugjeruar të bëjë kujdes me përhapjen e të dhënave personale.

“Shfrytëzojmë rastin t’ju bëjmë thirrje të tregoni kujdes të vazhdueshëm në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e të dhënave tuaja personale, qoftë në komunikime individuale me persona të tretë, qoftë në kuadër të aktivitetit tuaj eventual në mediat sociale dhe më gjerë”, thuhet ndër të tjera në përgjigjen zyrtare.

Në lidhje me këtë përgjigje të Komisionerit, ka pasur dhe një reagim nga Zaimi: “Iku dhe ky muhabet, u harrua!!! Keshilla e Komisionerit qe “te tregojme kujdes” eshte epike!!“, tha ajo.

Në datë 11 prill 2021, portali Lapsi.al ka publikuar skandalin me përdorimin e të dhënave të 900 mijë qytetarëve nga Partia Socialiste, njohur ndryshe edhe si skandali i Patronazhistëve. Sipas këtij denoncimi, në zyrat elektorale të PS-së është vënë në dispozicion një sistem të dhënash, që ngre dyshime të forta për përdorimin e database shtetërore të E-Albania në funksion të partisë në pushtet.

Përgjigja e plotë:

E nderuar znj. Zaimi.

Në vijim të ankesës suaj, lidhur me publikimin e paligjshëm të të dhënave tuaja personale, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (në vijim “Zyra e Komisionerit”) ju informon se ka ndërmarrë një hetim administrativ pranë kontrolluesve Lapsi.al, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Partia Socialiste e Shqipërisë dhe Partia Bindja Demokratike, nisur nga publikimi në faqen e internetit ëëë.lapsi.al, më datë 11.04.2021, të një lajmi me titull “Ekskluzive/ Si na monitoron Rilindja nr e telefonit, nr ID, vendet e punës, të dhënat konfidenciale për 910 mijë votues të Tiranës”, i cili gjendet në lidhjen: https://lapsi.al/2021/04/11/ekskluzive-si-na-monitoron-rilindja-nr-e-telefonit-nr-id-vendet-e-punes-te-dhenat-konfidenciale-per-910-mije-votues-te-tiranes/,  nëpërmjet të cilit, kontrolluesi në fjalë, bën me dije se ka siguruar një bazë të dhënash me të dhënat personale të 910 mijë subjekteve të të dhënave, të Bashkisë Tiranë, nga mosha 19 deri 99 vjeç.

Nisur nga ky publikim, Zyra  Komisionerit, me shkresën nr. 674 prot., datë 12.04.2021, ka kërkuar nga kontrolluesi Lapsi.al vënien në dispozicion të informacionit/dokumentacionit që dispononte në lidhje me rastin në fjalë, por pa asnjë reagim nga ana e kontrolluesit. Disa ditë pas publikimit të lajmit në fjalë, Zyra e Komisionerit ka ardhur në posedim të një baze të dhënash, në të cilën rezultojnë të përpunuara të dhënat personale të 91 061 (nëntëdhjetë e një mijë e gjashtëdhjetë e një) subjekteve të të dhënave (në vijim, “Baza e të Dhënave”). Kjo Bazë të Dhënash rezulton të ketë qarkulluar nëpërmjet kanaleve të ndryshme të komunikimit, ndër të tjera, nëpërmjet aplikacionit ËhatsApp.

Gjithashtu, është konstatuar një përhapje masive, e paligjshme, e Bazës së të Dhënave, ndër të tjera, nëpërmjet faqeve të internetit ëëë.patronazhisti.com dhe https://adfrehasdgfh.ëeb.app/, shkak për të cilin Zyra e Komisionerit, i është drejtuar Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit për bllokimin e menjëhershëm të tyre, si dhe fillimin e procedimit ligjor të personave që zotërojnë/posedojnë këto faqe interneti, në të cilat rezulton të publikohen të dhënat personale të shtetasve që supozohen të jenë marrë nga Baza e të Dhënave.

Pavarësisht përpjekjeve të specialistëve të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit (TIK) të Zyrës së Komisionerit, nuk është bërë e mundur të identifikohet, ndër të tjera, në të dhënat elektronike (properties) të Bazës së të Dhënave, krijuesi dhe/ose origjina elektronike e këtij dokumenti (file). Nga rrethanat e hetimit administrativ, të ushtruar pranë kontrolluesve të sipërpërmendur, nuk është arritur të provohet përfshirja e këtyre subjekteve në krijimin dhe qarkullimin e Bazës së të Dhënave.

Konkluzionet e hetimit administrativ mund t’i konsultoni në Relacionin e Hetimit Administrativ të përgatitur nga Zyra e Komisionerit, si dhe në aktet për secilin kontrollues objekt hetimi, në faqen zyrtare të internetit https://ëëë.idp.al/hetimi-administrativ/.

Shfrytëzojmë rastin t’ju bëjmë thirrje të tregoni kujdes të vazhdueshëm në lidhje me përdorimin dhe përhapjen e të dhënave tuaja personale, qoftë në komunikime individuale me persona të tretë, qoftë në kuadër të aktivitetit tuaj eventual në mediat sociale dhe më gjerë. Sipas rastit, përpara vënies në dispozicion të të dhënave tuaja për çdo kontrollues cilido qoftë, sigurohuni që ky i fundit përmbush para jush detyrimin e tij për informimin tuaj korrekt dhe të plotë në lidhje me përdorimin e të dhënave tuaja personale, si dhe garanton të drejtat tuaja si subjekt të dhënash personale, në përputhje me nenet 5 deri 9, si dhe 12 deri 19 të ligjit nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” i ndryshuar.

Gjithë të mirat,

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re