Kushdo që vuan nga dhimbje akute përdor shpesh qetësues kundër dhimbjeve – problemi është që duhet pak kohë deri sa qetësuesi të japë efekt. Studiuesit tani kanë zbuluar se koha e efektit mund të përshpejtohet me qëndrimin e duhur të trupit. Por si?

Shumë shpesh përdoren qetësues kundër dhimbjeve, si paracetamol, ibuprofen ose diklofenak. Megjithatë, kur merren si tabletë, ato fillimisht duhet të kalojnë përmes stomakut dhe të arrijnë në seksionin e parë të zorrës së hollë (duodenum). Atje, përbërësi aktiv absorbohet dhe transportohet në vendin e veprimit nëpërmjet qarkullimit të gjakut. Trupit i duhet kohë për këto rrugë – të cilat çuditërisht mund të shkurtohen me një mënyrë të thjeshtë.

Se kur fillon efekti i qetësuesve varet nga pozicioni i trupit.

Duke përdorur një simulim kompjuterik, studiuesit nga Universiteti Amerikan Johns Hopkins ishin në gjendje të përshkruanin për herë të parë një model të stomakut të njeriut. Ata tani kanë zbuluar se ka një ndryshim në fillimin e efektit të qetësuesve, në varësi të faktit nëse jeni shtrirë apo në këmbë:

  • I shtrirë në anën e majtë, trupit i duhen 100 minuta që ilaçi të bëj efektin e vet.
  • Nëse jeni në anën e djathtë, është vetëm 10 minuta.
  • Kur qëndroni në këmbë, trupit i nevojiten 23 minuta që të përjetojë lehtësimin e dhimbjes.

Sa më afër të zbresë qetësuesi në pjesën e poshtme të stomakut, aq më shpejt do të tretet dhe do të çlirohet përbërësi aktiv. Duke marrë parasysh gravitetin dhe strukturën natyrale të stomakut, shtrirja në anën e djathtë rezulton të jetë më e mira këtu – qetësuesi transportohet 2 deri 3 herë më shpejt sesa në një pozicion vertikal. Dhe madje 10 herë më shpejt se shtrirja në anën e majtë.

Përshtati në Shqip: Marsida Bregasi

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re