Ilaçi anti-artrit Tocilizumab mund të jetë një nga shpresat për fitoren mbi Coronavirus. Trajtimi i ri u krye mbi 100 pacientë në Spitalin Civil të Brescias: në 77% të pacientëve të trajtuar, thonë studiuesit që publikuan të dhënat e studimit, kushtet e frymëmarrjes janë përmirësuar ose janë stabilizuar.

Kjo është seria aktualisht më e madhe e pacientëve të trajtuar me Tocilizumab në botë, e cila ndjek rezultatet inkurajuese të marra në 20 pacientë në Kinë dhe në dy pacientët e parë italianë të trajtuar në Spitalin Cotugno në Napoli.

Rezultatet do të publikohen në shtypin e specializuar mjekësor në korrik. Studimi, shpjegon Universiteti, “tregon se pneumonia Covid-19 me sindromën e frymëmarrjes akute, karakterizohet nga sindromi hiperinflamator dhe mbështet hipotezën se përgjigja ndaj Tocilizumab është e lidhur me një përmirësim të rëndësishëm klinik”. Agjensia Italiane e Barnave gjithashtu ka filluar një studim për tocilizumab mbi 330 pacientë, i cili aktualisht po vazhdon.

Tocilizumab, fjala e ekspertëve

“Nga 100 pacientë të trajtuar – shpjegon Nicola Latronico e Njësisë së Anestezisë dhe Reanimacionit dhe zëdhënës për studimin – 43 morën Tocilizumab në njësinë e kujdesit intensiv, ndërsa 57 jashtë njësisë së kujdesit intensiv për shkak të padisponueshmërisë së shtretërve. Nga këto 57 pacientë, 37 prej tyre (65%) janë përmirësuar dhe kanë ndërprerë ventilimin jo-invaziv, 7 (12%) pacientë mbetën të qëndrueshëm në njësinë e kujdesit intensiv dhe 13 (23%) pacientë u përkeqësuan (10 vdekje, 3 shtruar në spital në kujdesin intensiv).

Nga 43 pacientë të trajtuar në kujdesin intensiv, 32 (74%) u përmirësuan (17 u larguan nga ventilimi artificial dhe u transferuan në repart), 1 (2%) mbeti i qëndrueshëm dhe 10 (24%) vdiqën “.

Në përgjithësi, në 10 ditë, gjendja e frymëmarrjes u përmirësua ose u stabilizua në 77 pacientë (77%), nga të cilët 61, pas ekzaminimit me rreze X të gjoksit, tregoi një “ulje të ndjeshme të dëmtimit të mushkërive dhe 15 dolën nga spitali”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re