Ilaçi eksperimental kundër COVID-19, prodhuar nga AstraZeneca, ka ndihmuar në uljen e rrezikut të simptomave të rënda ose vdekjes nga virusi, tregojnë studimet e fazës së fundit, deklaroi prodhuesi britanik i ilaçeve, të hënën.

Ilaçi i cili përbëhet nga gërshetimi i dy antitrupave të quajtur AZD7442, ulte rrezikun e simptomave të rënda ose vdekjes nga COVID-19, me 50%, në pacientët që nuk janë shtruar në spital dhe që kanë pasur simptoma për shtatë ditë ose më pak, duke përmbushur në këtë mënyrë qëllimin kryesor të studimit.

Provat tregojnë se ky ilaç nga AstraZeneca, që jepet me injeksion, është i pari i këtij lloji që duket se është premtues, edhe si ilaç parandalues, edhe si kurë për COVID-19. Ai është krijuar për të mbrojtur njerëzit që nuk kanë një përgjigje të fortë imunitare ndaj vaksinave. Terapi të ngjashme të bëra me një sërë barnash të quajtura antitrupa monoklonalë, po zhvillohen njëkohësisht edhe nga kompani farmaceutike si Regeneron, Eli Lilly, dhe GlaxoSmithKline në partneritet me Vir. Këto terapi janë miratuar për përdorim urgjent në Shtetet e Bashkuara për trajtimin e COVID-19 me simptoma të buta deri në të moderuara.

AstraZeneca, vaksina e së cilës kundër COVID-19 është përdorur gjerësisht në nivel global, javën e kaluar, u kërkoi rregullatorëve amerikanë që të japin autorizimin për përdorim urgjent të ilaçit AZD7442 si një terapi parandaluese. AstraZeneca po dorëzon të dhënat e studimeve mbi ilaçin AZD7442 tek rregullatorët globalë të shëndetit, tha një zëdhënëse e kompanisë të hënën.

Provat klinike u zhvilluan në 13 shtete dhe përfshinë më shumë se 900 pjesëmarrës të moshës së rritur, ku gjysma mori ilaçin AZD7442 dhe pjesa tjetër mori trajtimin me placebo. Rezultatet e plota të studimit do të paraqiten së shpejti, deklaroi AstraZeneca. Ilaçi AZD7442 përmban antitrupa të prodhuar në laborator, të krijuar me qëllimin për të qëndruar disa muaj në trup, për të përmbajtur virusin në rast infeksioni. Ndërsa një vaksinë, nxit sistemin imunitar që të prodhojë antitrupa të posaçëm për të luftuar virusin.

Duke qenë se deri tani studimet janë përqendruar te personat e prekur të pashtruar në spital, ndërkohë, një studim i veçantë po shqyrton edhe përdorimin e këtij ilaçi të ri si një trajtim për pacientët e shtruar në spital me COVID-19./ Reuters

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re