Ilir Alimehmeti kritikon opozitën: Disa kandidatë të Berishës ishin thuajse të padukshëm në fushatë
Kandidati Ilir Alimehmeti, i ftuar në një intervistë televizive, ka kërkuar reflektim të thellë nga opozita pas rezultatit zgjedhor, duke theksuar se përgjegjësia duhet marrë dhe ndarë. Ai tha se fushata ka pasur mangësi të qarta, veçanërisht në lidhje me disa kandidatë të vendosur në listat e mbyllura nga Sali Berisha.
“Patjetër që duhet të reflektojmë. A ka ceduar fushata? Në disa elementë, po. Disa kandidatë, veçanërisht nga lista e mbyllur, kanë qenë thuajse të papranishëm në fushatë,” deklaroi Alimehmeti.
Ai pranoi se problemet nuk janë të izoluara vetëm në disa qarqe, por janë më të thella dhe strukturore.
“Ka pasur probleme në disa qarqe, por nuk është ky i vetmi problem. Në çdo organizatë apo biznes, përgjegjësia shkon lart. Por ne nuk duhet të fokusohemi vetëm te shifrat – është e rëndësishme të kuptojmë terrenin ku garojmë. Kur loja nuk është e drejtë dhe s’ka arbitër, gjithmonë ‘vëllai i madh’ do ta mundë të voglin,” shtoi ai.
Alimehmeti theksoi se pas mbylljes së procesit zgjedhor do të duhet analizë dhe më pas riformatim:
“Pas çdo veprimi, për mirë apo për keq, duhet analizë. Ai që ka performuar mirë duhet të ecë përpara, ai që s’ka dhënë rezultat, të bëjë një hap mbrapa. Jam mbështetës i fortë i situatave dinamike, jo statike.”
Në fund, ai nënvizoi rëndësinë e të vërtetës, sado e dhimbshme të jetë, duke thënë:
“E vërteta ndonjëherë dhemb, por vetëm duke e thënë, fillon të mendosh si ta zgjidhësh. Dhe nëse e zgjidhim një problem, i kemi bërë mirë Partisë Demokratike.”
