Në një lidhje direkte për Fax News, mjeku dhe ish-kandidati për deputet, Ilir Alimehmeti, komentoi zhvillimet më të fundit politike, përfshirë shkarkimet dhe emërimet në qeveri, si dhe ndërhyrjen e kryeministrit në çështjet e pushtetit vendor, me fokus të veçantë në procesin e Tiranës.
Alimehmeti u shpreh i prerë: “Tashmë e kemi kuptuar Edi Ramën. Komandon i vetëm dhe çdo vendimmarrje kalon vetëm përmes tij.”
Duke analizuar strukturën e qeverisë së re të shpallur nga Edi Rama, Alimehmeti tha se shumica e emrave të rinj janë vendosur në poste pa rëndësi të madhe, ndërsa pozicionet kyçe mbeten nën kontrollin direkt të kryeministrit.
“Emrat e rinj nuk kanë as peshë politike, as përvojë administrative. Duken më shumë si vendime të imponuara për të ruajtur balancat në grupin e Ramës, jo për të përmirësuar qeverisjen.”
U trajtua çështja e drejtimit të përkohshëm të Bashkisë Tiranë, pas dorëheqjes së Erion Veliajt. Alimehmeti theksoi se procedurat janë të qarta dhe përcaktohen nga Këshilli Bashkiak, jo nga ndërhyrjet e qeverisë qendrore.
“Procesi për Tiranën i takon Këshillit Bashkiak. Ndërhyrja e Ramës është flagrante dhe bie ndesh me frymën e decentralizimit dhe vetëqeverisjes vendore.”
Sipas tij, veprime të tilla tregojnë për një kapje sistematike të çdo pushteti nga ana e Edi Ramës, i cili kërkon të kontrollojë edhe vendimmarrjet më të vogla në nivel lokal.
I pyetur për Arben Ahmetajn dhe zëvendësimin e drejtimit të bashkisë, Alimehmeti komentoi edhe deklaratën e ministres Ogerta Manastirliu, e cila u përfshi në këtë proces në mënyrë të papritur.
“Manastirliu nuk ishte gati. E paqartë në komunikim, e shtangur. Kjo tregon që gjithçka po ndodh jashtë strukturave normale institucionale.”
Në fund të intervistës, Alimehmeti komentoi edhe opozitën, duke u shprehur se pavarësisht hyrjes në një legjislaturë të re, Partia Demokratike mbetet e njëjta, me të njëjtat probleme dhe pa ndonjë projekt të qartë për të ardhmen
