Skip to content

Ilir Alimehmeti qetëson qytetarët/ “Asnjë arsye për t’u shqetësuar mbi Covid-in në Kinë”

Mjeku epidemiolog, Ilir Alimehmeti ka qetësuar qytetarët përsa i përket  situatës alarmante që është krijuar lidhur me rritjen e numrit të personave të infektuar me Covid-19 në Kinë dhe rikthimin ne virusit dhe masave të rrepta kundër tij.

 

Alimehmeti, nëpërmjet një postimi në rrjete sociale i ka bërë thirrje qytetarëve të qetësohen dhe mbi të gjitha të mos bien preh e dezinformimit në media duke shpjeguar dhe arsyet pse ata nuk duhet të shqetësohen për ripërhapjen e virusit.

 

“Tri gjëra nuk mund të fshishen dot gjatë: dielli, hëna dhe e vërteta.”

 

Cit.: Buddha

 

Asnjë arsye për t’u shqetësuar nga Kina miqtë e mi mbi COVID-19!

 

Kur një shtet prej rreth 1.4 miliardë persona ndryshon menjëherë strategjinë nga Covid-zero në hapje në dimër, nuk ka asnjë dyshim çfarë do të ndodhte.

 

Nivelet minimale të imunitetit natyrore dhe nivelet e ulëta të imunizimit me vaksina të dobëta kineze do të thonin vetëm një rritje të rasteve në Kinë.

 

Kujdes:

 

Vala që goditi Kinën dhe që është aktualisht në rënie nuk shkaktohet nga ndonjë variant i ri, por janë sërish forma të ndryshme të Omicronit që e kemi prej mbi një viti në Shqipëri dhe Europë.

 

BF.7 dhe BQ.1 janë të dyja nënvariante të BA.5 e pranishme prej të paktën 8-9 muajsh në Shqipëri dhe Europë.

 

Në Shqipëri dhe Europë imuniteti kolektiv tashmë është i vendosur gjerësisht dhe asnjë nënvariant i Omicronit nuk gjen dot terren të virgjër, pra nuk mund të bëjë më dëme masive.

 

Edhe në Kinë po të shohim të dhënat vërejmë të paktën dy elemente kyçe:

 

Vala e rasteve të infektimeve ka të paktën dy javë që është në rënie (grafiku i sipërm).

 

Humbjet e jetës ishin shumë më të larta me variantet e para (grafiku i poshtëm), ndërkohë që janë praktikisht pothuajse të papërfillshme gjatë valës së fundit të dhjetorit.

 

Këto elemente i kemi shpjeguar më herët:

 

Sa më shumë të jetë e imunizuar popullata (imunitet natyror kryesisht) aq më pak të dëmshme do të jenë valët e infektimeve.

 

Sa më shumë të përshtatet virusi me njerëzit, aq më shumë infektime do të ketë por do të ketë gjithmonë e më pak humbje jete (fenomeni i homplazisë, ndryshe i njohur si evolucioni konvergjent).

 

Si përfundim, rrini të qetë miqtë e mi dhe gëzoni festat me familjet.

 

Fikni televizorët dhe bojkotoni çdo lajm, portal, televizion apo deklaratë që ka prirjen vetëm t’ju fusë në panik të panevojshëm.

 

Festa të mbara!”, shkruan ai.