Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, u bë shkak për dështimin e seancës gjyqësore të së enjtes të dosjes “Sterilizimi” në Gjykatën e Posaçme.
Beqaj nuk ishte prezent në sallën e gjyqit. Përmes një deklarate, ai njoftonte gjykatën se nuk mund të merrte pjesë në gjyq, për arsye shëndetësore dhe kërkonte që seanca të mos zhvillohej pa praninë e tij.
Në proces nuk ishte i pranishëm as avokati i Beqajt, Ilir Yzeiraj, por edhe mbrojtësi i të pandehurit Ilir Rrapaj.
Hetimet 3-vjeçare të kryera nga SPAK kanë zbuluar shkelje të ligjit në procedurat e dhënies së njërit prej koncesioneve më të kushtueshme të sektorit të shëndetësisë, me qëllimin e vetëm të shpalljes fitues të kompanive të Ilir Rrapajt dhe shtetasit Italian, Umbro Staccini.
Sipas akuzës, Ilir Beqaj ka pasur njohje dhe miqësi të fortë me biznesmenin. Beqaj akuzohet për shpërdorim detyre dhe ndaj tij janë caktuar dy masa sigurie, detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit.



