Presidenti Ilir Meta ka vijuar edhe sot me sulmet ndaj mazhorancës socialiste, ndërsa kritikoi edhe opozitën.

Në një prononcim për mediat nga Durrësi, Meta u bëri thirrje partive politike që të marrin masa për zgjedhjet vendore në 13 Tetor.

“Besoj që jam shprehur qartë dhe përmes padisë në Kushtetuese për ligjin për Teatrin. Na shqetëson shumë ky teatri i madh politik, absurd, që kërcënon që Shqipërinë të dërrmojë cdo mundësi për të çelur negociatat në Tetor. 

Prandaj edhe njëherë u bëj thirrje në mënyrë të veçantë të tre artistëve, ti japin fund këtij absurdi, të marrin masat për zgjedhjet vendore në 13 Tetor, pasi qytetarët kanë nevojë të kenë qetësi, normalitet, një qeverisje vendore të ligjshme dhe legjitime dhe garanton llogaridhënie.

Sigurisht që 13 tetori dhe zgjedhjet vendore nuk besoj se zgjidhin gjithcka, por është një detyrim ligjor dhe kushtetues i pashmangshëm, në radhë të parë për kryeministrin që të heqë dorë nga presionet dhe shantazhet ndaj institucioneve duke penguar zbatimin e dekretit dhe padyshim është përgjegjësi e të gjithë të tjerëve që të bëhen gati për të marrë pjesë në zgjedhje te 13 tetorit. 

Kam insistuar prej shumë kohësh për dialog dhe jo për diversion dhe demagogji, por për marrje përgjegjësish nga të gjitha palët për të rivendosur normalitetin dhe demokracinë në vend dhe që të funksionojë llogaridhënia.

Sot kemi një parlament që nuk jep llogari para askujt, një shumicë që kontrollon gjithcka, një situatë kaotike në të gjitha drejtimet, kjo është përgjegjësi e të gjitha palëve, asnjë nuk mund të shfajësohet, sepse opozita i ka pasur mundësi për të parandaluar me propozime me këmbë në tokë dhe të përgjegjshme shumë nga këto marrëzitë e skenarit të kapjes së institucioneve.

 Shqipëria nuk mund të ecë në dy rrugë që nuk takohen me njëra tjetrën që janë; rruga e kapjes së institucioneve nga njëra anë dhe rruga tjetër e delegjitimimit të të gjitha institucioneve. Ne jemi një vend dhe kemi nevojë për një rrugë të përbashkët, anëtarësimi në BE dhe dy palët të tregojnë përgjegjësi për të mos e cenuar këtë vullnet“ -tha Meta. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re