Ilir Meta ka bërë një postim këtë mëngjes në Facebook, një foto ku shihet krah inxhinierit Xhevahir Ngjeqari për të cilin shpreh vlerësimet më të mira.
Meta thotë se Ngjeqari i ka kushtuar gjithë këtë pjesë të jetës së tij studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë.
“Inxhinier Xhevahir Ngjeqari është një intelektual i rrallë, i cili gjithë këtë pjesë të jetës së tij ia ka kushtuar energjikisht studimit të burimeve natyrore të pashfrytëzuara të Shqipërisë, duke u bërë njëherazi avokat dhe kontribues i mbrojtjes dhe shfrytëzimit të tyre me efikasitet në funksion të interesit publik e kombëtar.
Së fundi ai vjen me librin ‘Mesdheu-Adriatiku.
Projektim i porteve tregtare-turistike-peshkimit dhe realizimi në bregdetin shqiptar’, fryt i një pune pasionante ndër vite, që në thelb përbën një perspektivë të vyer për ekonominë shqiptare, e cila duhet të merret në konsideratë.”– shkruan Meta.
Këtë moment Meta e shfrytëzon për të dhënë edhe një mesazh lidhur me politikën, teksa thekson se është koha për të kthyer vëmendjen tek interesi publik.
“Zëri i intelektualëve tanë të shquar duhet të dëgjohet më shumë për t’i dhënë qëndrueshmëri rritjes së zhvillimit ekonomik të vendit.
*Boll më me interesa klienteliste që synojnë zhvatjen e Shqipërisë nga vetëm një grusht oligarkësh e horrash*. Koha për të kthyer të gjithë vëmendjen nga interesi publik!”– shkruan Meta.
