Ilir Meta i ka kthyer qeverisë dy ligje të tjera, të miratuara në seancën e 20 qershorit.

Bëhet fjalë për ligjin për vetëqeverisjen vendore dhe ligjin për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta, mjeteve kryesore dhe mjeteve të xhiros së këtyre ndërmarrjeve.

Presidenti thotë se Kuvendi i Shqipërisë duhert të rishikojë nenet 3 dhe 4 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

“Presidenti i Republikës, konstaton se Kuvendi i Shqipërisë, me ndryshimet që ka vendosur të realizojë nëpërmjet nenit 3 dhe 4 të ligjit nr. 38/2019, po krijon një kompetencë të re për autoritetet vendore, por nuk ka parashikuar asnjë dispozitë mbi mënyrën ligjore se si këto autoritete (Këshillat Bashkiakë) do të formojnë vullnetin e tyre për të përzgjedhur subjektin me të cilin do të hyjnë në marrëdhënie për të zhvilluar pasuritë e paluajtshme në pronësi të tyre”, thuhet ndër të tjera në arsyetimet e Metës.

“Kjo gjendje paqartësie, krijon shteg për abuzim dhe mundësi që në praktikë kjo kompetencë e re të keqpërdoret me pasoja të pariparushme për pronën publike dhe interesin publik.

Gjithashtu, e drejta për zhvillim e pronës në pronësi të pushtetit lokal është drejtpëdrejtë një mënyrë tjetërsimi i pasurisë së paluajtshme”, thotë Meta.

Sa i përket ligjit për privatizimin e shoqërive tregtare, Meta çmon se ky ligj, i paraqitur për shpallje, është një nisëm ligjore e nxituar, jo e plotë dhe fryma e këtij ligji shkon në kundërshtim me kuadrin ligjor aktual në fuqi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re