VALENTINA MADANI/ Kreu i PL-s së, Ilir Meta në një takim me shtabin elektoral të Durrësit, shprehu dje bindjen se fitues në zgjedhjet e 14 majit do të jetë kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Igli Cara.

Ai vuri në dukje se Cara ka një vizion dhe strategji të qartë për qytetin e Durrësit dhe se do të zgjidhë çdo hall të qytetarëve, të cilat “Rilindja” nuk i ka bërë në 22 vite. Sakaq theksoi “mbështetja për Carën i kalon të gjitha partitë tona në koalicion”. “Edi Rama është i dëshpëruar këto ditë, duke bërë dhe thirrje nga më të marrat. E pranoi dhe vetë se kandidati ynë në Durrës është më i mirë por që atij i duhet një pastruese. Durrësi do të zgjedhë Ilgi Carën pasi ka vizionin e duhur dhe legjimitetin e jashtëzakonshëm, vjen nga primaret. Do i japë zgjidhje problemeve që Rilindja nuk i dha në 22 vite, pasi kjo e fundit nuk kishte hall si do i zgjidhte problemet e qytetit.

Rilindja nuk bëri asgjë për të promovuar agro-turizmin, plani i Carës është ambicion dhe alternativat e tij për tregjet e reja do kenë impakt pozitiv për zhvillimin e turizmit dhe për të frenuar ikjen e të rinjve. Durrësi është një risi në këtë fushatë, unë besoj se vizioni i Carës, ka një strategji të qartë. Faleminderit për mbështetjen që i keni dhënë, mbështetja për Carën i kalon të gjitha partitë tona në koalicion, reflekton në faktin se kemi një kandidat të mbarë opozitës. Më 14 bashkia i kthehet qytetarëve të Durrësit”, theksoi Ilir Meta.

PROGRAMI

Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Durrësit Igli Cara, nëpërmjet një video-mesazhi në “Facebook” prezantoi dje programin elektoral që sipas tij do t’i japë qytetin ndryshimin e duhur. Ai përmendi se prioritet i programit të tij janë investimet në infrastrukturë. Cara përmblodhi disa pika të programit të tij për qytetin, në një video të shpërndarë në rrjetet sociale. Vend të rëndësishëm në programin e Igli Carës zënë investimet në infrastrukturë, furnizimi me ujë, përpunimi i mbetjeve, ulja e taksave dhe tarifave vendore, mbështetja e turizmit komunitar, si dhe rritja e buxhetit për mbështetjen e shtresave në nevojë.

Cara siguroi se nëse do të zgjidhet kryebashkiak do ta kthejë Durrësin në një qytet që krijon mundësi për të gjithë, me hapësira të dedikuara dhe shërbime.

“Si do ta ndryshojmë Durrësin në 4 vitet e ardhshme. Brenda 2 viteve mbyllim të gjitha plagët e shkaktuara nga tërmeti në qytetin tonë. Furnizim pa ndërprerje me ujë dhe sistem kanalizimesh në çdo lagje. Zgjidhim përfundimisht problemin e përmbytjeve në qytet. Ndërtojmë një stacion transferimi të mbetjeve. Aktivizojmë industrinë lokale të riciklimit. Ulim taksat dhe tarifat vendore. Për të rinjtë një zonë rekreative në afërsi të stadiumit. Për më të vegjlit kënde lojërash dhe parqe të gjelbëruara kudo në qytet. Brenda mandatit qendër rezidenciale me të gjitha shërbimet për të moshuarit tanë. Rritja e buxhetit për ndihmën dhe integrimin e shtresave në nevojë. Çdo rrugë e shtruar në territorin e bashkisë brenda 4- vjeçarit. Tregjet të rinj bujqësor në Sukth, Rrashbull, Katund i Ri, Ishëm, Manëz si dhe nxitjen e biznesit të agro-turizmit. Mbështetje të turizmit komunitar përmes brendimit. Përpilimi i strategjisë së Durrësit si ‘Smart City’ dhe forcim i infrastrukturës digjitale.

Në programin tim Durrësi 2023-2027 përcakton dhe sfida të tjera të përbashkëta. Së bashku mund t’ja dalim sepse qyteti je ti”, shprehet Igli Cara në videon e postuar prej tij. Ndërkohë krahas videos, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” kërkon mbështetjen e qytetarëve për të bërë ndryshimin në Durrës. “Për Durrësin tonë! Një qytet që krijon mundësi, me hapësira të dedikuara dhe shërbime për të gjithë! Bashkë bëjmë ndryshimin! Qyteti je ti”, shprehet Igli Cara.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re