Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka hedhur poshtë deklaratën e mbrëmshme të gazetarit Artan Hoxha, i cili tha se Nuredin Dumani ka rrëfyer para SPAK-ut se Ilir Meta ka urdhëruar vrasjen e vëllait të një ish-deputeti socialist.

Konkretisht bëhej fjalë për vrasjen e Aleksandër Ndokës, ndodhur në vitin 2017 në qytetin e Lezhës. SPAK deklaron se Dumani nuk e ka pëmendur Metën në asnjë moment të rrëfimit të tij, ndërkohë që fton gazetarët të jenë të kujdesshëm me ato çfarë thonë.

Njoftimi i SPAK: 

Në vijim të interesimit të shtuar të mediave, në lidhje me deklarimin e gazetarit Artan Hoxha për sa i përket të dhënave të pretenduara si të deklaruara nga shtetasi nën hetim N.D. për Presidentin  e Republikës së Shqipërisë, të transmetuar në televizionin Kombëtar “Klan”, në emisionin “Opinion” të datës 02.06.2022, sqarojmë opinionin publik se:

Në deklarimet e dhëna në kuadër të procedimit penal nr.75/2022 që po heton Prokuroria e Posaçme, shtetasi nën hetim N.D., nuk ka deklaruar asnjë të dhënë në lidhje me Presidentin e Republikës së Shqipërisë.

Duke marrë shkas nga ky rast, si dhe duke mbajtur në konsideratë edhe trajtimet që i janë bërë deklarimeve të shtetasit N.D. në emisione të ndryshme televizive, ftojmë mediat që të jenë të kujdesshme, të mbajnë në konsideratë ndjeshmërinë e kësaj çështje, të respektojnë viktimat dhe familjarët e tyre, si dhe faktin se çështja është në fazën e hetimit paraprak dhe Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë Për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar referuar nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale ka vendosur ndalimin e publikimit të vendimit nr.42 datë 17.05.2022 (me objekt caktimin e masave të sigurimit).

Deklarata e Artan Hoxhës bëri xhiron e rrjetit mbrëmjen e djeshme, ndërkohë që presidenti Meta zgjodhi të mos bënte asnjë reagim.

“Bëhet fjalë për një ngjarje që ka ndodhur në vitin 2017 para fushatës elektorale në qarkun e Lezhës. Pas fushatës atje ka ndodhur vrasja e një përfaqësuesi politik të mazhorancës. Ka qenë edhe në këshillin bashkiak, është ekzekutuar. Por sipas Dumanit, kjo vrasje është porositur nga një politikan i rëndësishëm. Pra ishte vëllai i një deputeti të PS-së. Nëse kjo del e vërtetë kjo është shumë e rëndë. Dumani thotë se Ilir Meta ka porositur vrasjen e vëllait të një deputeti në Lezhë”– tha mbrëmë Hoxha.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re