Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e ish-Kreut të Shtetit, Ilir Meta, i cili kishte kërkuar lirimin nga qelia, ku ndodhet prej datës 21 Tetor 2024.
Kolegji penal i përbërë nga Ilir Panda, Albana Boksi e Medi Bici kanë lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” të dhënë nga Apeli i GJKKO-së ndaj presidentit të Partisë së Lirisë më 19 Nëntor 2024, duke shuar shpresat e tij për lirim nga qelitë e paraburgimit.
Vendimi u mor në dhomën e këshillimit pa praninë e palëve, vetëm mbi bazë dokumentesh.
“Pershendetje! Ne lidhje me interesimin tuaj per ceshtjen penale me nr. 60003-00073-00-2025, Kolegji Penal i Gjykates se Larte, ka vendosur:
Lenien ne fuqi te vendimin nr.59 (87-2024-333) date 19.11.2024 te Gjykatës së Posaçme te Apelit per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Lartë.
Ish-Kreu i Shtetit kërkoi zbutjen e masës teksa argumentonte që nuk ekzistonin kushtet dhe rrethanat që të mbahej në paraburgim.
Ilir Meta theksonte se në këtë mënyrë pengohej aktiviteti i tij politik, por gjasat janë që pas vendimit të Gjykatës së Lartë, Ilir Meta të jetë prapa hekurave të paktën deri në zgjedhjet e 11 Majit.
Ndërkohë ish-bashkëshortja e tij, njëkohësisht deputetja e PL- së, Monika Kryemadhi do të vijojë të jetë nën masën “detyrim paraqitje”.
Ilir Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash e fshehje pasurie lidhur me dosjet e bashkuara Cez-Dia, lobimi i ish-LSI në SHBA dhe shpenzimet e familjes së tij.
Ndërkohë për të njëjtat akuza është nën hetim edhe Monika Kryemadhi, me të cilën është në proces divorci.
