Ilir Meta ka komentuar marrëveshjen e detit mes Shqipërisë dhe Greqisë, si dhe zgjedhjet e 25 prillit.

Sa i takon marrëveshjes për detin Meta akuzon kryeministrin Edi Rama se ka pasur mungesë transparence dhe bashkëpunimi serioz.

Duke folur mbi mundësinë e rëndimit të klimës politike në zgjedhje, Meta u bëri thirrje qytetarëve që të ndëshkojnë ato forca politike që u ofrojnë para për votën, apo që ju bëjnë presion me vendin e punës.

“Ka një vendim të posaçëm të Gjykatës Kushtetuese të të kërkuar nga opozita e asaj kohë dhe kryetari i asaj kohe, Edi Rama. Unë kam qenë gjithmonë për zgjidhjen e drejtë, zgjidhjen kushtetuese, brenda normave ndërkombëtare. Për fat të keq nga ana e kryeministrit nuk ka pasur as transaprencë dhe as një bashkëpunim serioz, siç e meriton rëndësia e një çështje të tillë kaq të madhe. Nuk është një çështje që zgjidhet njëherë në 4 vjet. Duhet të zgjidhet në mënyrë sa më të drejtë për të dyja vendet dhe kësaj i shërben vetëm transparenca”, deklaroi presidenti Meta.

I pyetur nëse klima e rënduar e zgjedhjeve të 25 prillit mund të ndikojë në turizëm kreu i shtetit u shpreh:

 “Nuk do ketë klimë të rënduar, por të përmirësuar, pas asaj ditë që unë e vlerësoj si referendum për të rivendosur demokracinë, rendin kushtetues, për të marrë vetë populli shqiptar me votën e tij fatet e veta, të familjes së tij dhe mbarë vendit tonë. I garantoj që askush nuk do të prekë votën. U bëj thirrje të gjithëve të votojnë kundër çdo force politike që u bën presion qytetarëve me vendin e punës, apo me bukën e gojës. Ti ndëshkoj edhe më ashpër ata që do të ofrojnë para për vota. Sepse dinjiteti i çdo qytetari të Sarandës dhe Shqipërisë nuk mund të jetë kurrsesi i barabartë me vlerën në monedhë të një delje, dhije, apo lope. Ne jemi një popull evropian që meriton demokraci”.