Ilir Meta me dy gazetare te lire dhe te pavarur

Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, shprehet se “kjo ditë i gjen shumicën e mediave shqiptare nën çensurën e Qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë”.

Ai shprehet se pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci, ndaj dhe sipas tij, duhen mbrojtur e inkurajuar gazetarët.

“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit i gjen shumicën e mediave shqiptare nën çensurën e Qeverisë dhe kontrollin e oligarkisë.

Fondet publike dhe burimet e dyshimta financiare vazhdojnë të përdoren gjerësisht për të cenuar lirinë e shprehjes, për të fshehur të vërtetat dhe për të shmangur llogaridhënien.

Dhuna dhe kërcënimet ndaj gazetarëve janë shpeshtuar, së bashku me censurën dhe autocensurën.

Liria e medias është thelbësore për demokracinë.

Ne duhet të mbrojmë dhe inkurajojmë çdo ditë gazetarët kurajozë në punën e tyre. Ata duhet të ndihen të sigurtë dhe të kenë qasje të plotë në informacionin që i shërben interesit publik, pa pritur që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste.

Pseudo-liritë prodhojnë vetëm regjime me pseudo-demokraci”, shkruan Meta.