Autoriteti për informimin mbi dokumentet e ish-sigurimit të shtetit ka njoftuar dje parlamentin se ish-presidenti i Republikës Ilir Meta ka qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit.

 

Vizion Plus ka siguruar relacionin që autoriteti ka depozituar pranë Parlamentit, ku theksohet se pas një denoncimi, ish-kryetari i shtetit është riverifikuar dhe ka rezultuar se Ilir Meta ka bashkëpunuar me organet e sigurimit të regjimit komunist.Sinkron

 

“Duke marrë nxitje nga denoncimi më i fundit i ardhur në institucion mbi pastërtinë e figurës së një prej personaliteteve më të larta të shtetit, siç është ish-Presidenti i Republikës Z. Ilir Metaj, i pajisur me certifikatë të pastërtisë së figurës nga Komisioni Mezini dhe Bezhani, e konfirmuar nga ana jonë, rezulton se në fakt figuron në dokumentet e krijuara nga strukturat e ish-Sigurimit të Shtetit.”

 

Në relacion nuk ka detaje se kur ish-presidenti është rekrutuar dhe përsa kohë ai ka bashkëpunuar me ish-sigurimin e shtetit.

Autoriteti shpjegon se këto dokumente nuk janë zbuluar më parë, pasi Ilir Meta është verifikuar në vitet ‘90 nga Komisioni Mezini-Bezhani, të cilët kanë vlerësuar se ish-presidenti nuk ka qenë bashkëpunëtor.

 

Sipas autoritetit, nga procesi i verifikimit kanë rezultuar bashkëpunëtorë edhe disa figura të rëndësishme për të cilët ka bërë publike vetëm inicialet, ndaj ai i ka kërkuar parlamentit ndërhyrje në kuadrin ligjor, së pari për të hequr pengesat në procesin e verifikimit dhe së dyti për të ndaluar bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit të hyjnë në parlament apo në pushtetin vendor.

 

LINDITA NIKOLLA

KRYETARE E KUVENDIT

“Rasti është tronditës dhe Kuvendi duhet të reagojë patjetër. Prandaj kam thirrur sot kryetarët e grupeve dhe kryetarët e komisionit të sigurisë dhe të komisionit të ligjeve, të cilët i kam informuar mbi letrën e Autoritetit, identitetin e politikanit me inicialet I.M, si edhe gatishmërinë time për ta mbledhur Kuvendin në çdo kohë që forcat politike do të kenë nevojë.”

 

Kryetarët e grupeve parlamentare kanë preferuar të shmangin komentet për emrat konkrete, por kanë rënë dakord që duhet një kuadër i ri ligjor për t’u ndaluar bashkëpunëtorëve të ish-sigurimit të shtetit që të jenë pjesë e politikës, sistemit të drejtësisë apo në funksione të larta të administratës.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re