Organizata ndërkombëtare e Punës (ILO) referoi se punësimi informal në Shqipëri është 56.7 për qind e totalit te të punësuarve që raportohen nga të dhënat e Anketës së Forcës së Punës e realizuar nga INSTAT në vitin 2019.

Duke përjashtuar bujqësinë, informaliteti në tregun e punës përllogaritet 32.2%.

Të dhënat nga grafiku bashkëngjitur tregojnë se nga ata që punojnë, vetëm 43.3 për qind paguajnë sigurime dhe pjesa tjetër është në të zezë, shumica i takon sektorit të bujqësisë.

Nga totali i punonjësve informalë 63,9 për qind i përkasin sektorit të bujqësisë, 12.6 për qind sektorit të tregtisë, 7,6% ndërtimit, 4,2 për qind restoranteve dhe hoteleve.

Më tej në sektorin e industrisë punojnë 3.2 për qind punonjësve informale, në Transport 3%, në sektorin e shërbimeve të 1.9%.

Aktivitet profesionale, ato të administratës publike, artit dhe argëtimit janë më pak të ekspozuara ndaj punësimit informal.

Të dhënat më të detajuara tregojnë se meshkujt janë më të prirur për të punuar në të zezë. 59 për qind e totalit të meshkujve që punojnë ishin në të zezë, kundrejt 54 për qind të femrave. Duke përjashtuar sektorin bujqësor 40 për qind e meshkujve të punësuar janë në të zezë, kundrejt 32.2 për qind e femrave.

Nga totali i personave që punojnë në të zezë, 73 për qind e tyre punojnë në aktivitete që nuk janë të formalizuar në tatime dhe 26 % të tjerë punojnë në aktivitete shtëpiake si të vetëpunësuar. Vetëm 0.6 % e të punësuarve pa sigurimeve punojnë në aktivitete të regjistruara në tatime.

Deri në vitin 2019, Shqipëria kishte nivelin më të lartë të punësimit në Ballkanin Perëndimor me 53.8% të forcës së aftë për punës, por Banka Botërore ka analizuar se, rritja e punësimit mund të ketë reflektuar pjesërisht formalizmin në rritje të tregut të punës. Pas vitit 2015, qeveria ka ushtruar aksione kundër informalitetit, duke bërë që një pjesë e shtuar e punësimit të jetë vetëm formalizim.

Por anketa e forcës së punës e analizuar nga ILO tregon se punësimi informal vijon të jetë një fenomen shqetësues për Shqipërinë, i cili mund të përkeqësohet më tej nga kriza pandemike.

Në fund të vitit 2019, INSTAT raportoi si të punësuar 1,2 milionë persona, prej të cilëve u raportuan se paguajnë sigurime nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve vetëm 782 mijë persona./Monitor

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re