Me vetëm 157 raste të konfirmuara të sëmundjes Covid, 21 milionë banorë të qytetit kinez të Chengdu janë futur në karantinë pas një vendimi të autoriteteve kineze, ndërsa pamjet dhe videot e transmetuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë imazhe dëshpërimi, kaosi dhe paniku që të kujtojnë situatë lufte.

Banorët e qytetit janë në dëshpërim. Ata krijojnë radhë të përditshme në supermarkete për të marrë gjërat thelbësore, ndërsa autoritetet kineze vazhdojnë të zbatojnë një strategji të tolerancës zero për t’u marrë me sëmundjen Covid. Të pabesueshme janë fotot dhe videot që qarkullojnë në rrjetet sociale ku përshkruhen kinezët që luftojnë se kush do të jetë i pari që do të marrë produktet më thelbësore duke zbrazur raftet e dyqaneve.

Siç raporton The Sun, 21 milionë banorë të Chengdu po përjetojnë një nga bllokimet më të rrepta në botë pasi janë vendosur në izolim të plotë pas zbulimit të vetëm 157 rasteve të reja teksa Pekini vazhdon të ndjekë “politikën e zero Covid”. Të shumtë janë qytetarët që mbushin makinat e tyre me mish, oriz, perime dhe vezë sikur po i vjen fundi i botës, siç tregohet nga videot dhe fotot.

Në përpjekje për të justifikuar imazhet e pabesueshme që janë ngarkuar në mediat sociale, një 25-vjeçar banor i Chengdu pohoi se njerëzit kanë rënë në panik pas asaj që ndodhi së fundmi në Shangai, kur ky qutet u godit nga mungesa e ushqimit gjatë bllokimit. Të enjten, banorët e Chengdu u urdhëruan të izolohen nga ora 18:00 me orën lokale dhe të gjithë do të testohen për Covid brenda ditëve të ardhshme.

Pamjet tregojnë radhë kilometërshe të kinezëve që presin me durim të testohen për Covid në qendrat 24-orëshe. Hyrja dhe dalja nga qyteti është ndaluar, me një person nga çdo familje me një test negativ që mund të dalë çdo ditë për të blerë gjërat e nevojshme.

Sipas mediave shtetërore, fillimi i sezonit shkollor të vjeshtës është “ngrirë” dhe fluturimet janë pezulluar. Pamjet nga qyteti i Chengdu duket se e kthejnë kalendarin në fillim të vitit 2020, kur qyteti Wuhan hyri në një situatë të paprecedentë për të gjithë botën pasi aty ishte vendosur fokusi i virusit korona.

Vendi më i populluar në botë ka zgjedhur strategjinë “zero dispersion” ose zero-Covid”, e cila përfshin zbatimin e masave të rrepta kufizuese në rast të zbulimit të një numri të vogël të rasteve SARS-CoV-2. /tesheshi.com/

 

 

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re