Tre minisera me kanabis janë zbuluar nga policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Ferr të Shkopetit.

Në kuadër të operacionit ‘Imazhi’, policia tha se brenda tyre ishin kultivuar 280 fidanë, ndërsa ende nuk dihen cilët janë kultivuesit e tyre.

Njoftimi i policisë:

Nga kontrollet në çdo skaj të qarkut, me skuadra policore dhe dronë, finalizohet faza e shtatë e këtij megaoperacioni.
Shkatërrohen 3 minisera të gjetura në një zonë të pyllëzuar e terren të vështirë të fshatit Ferr, Shkopet, brenda të cilave ishin kultivuar 280 fidanë narkotikë cannabis sativa.
Gjatë 6 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total 7359 fidanë dhe bimë narkotikë, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë vijuar kontrollet intensive dhe operacionet e njëpasnjëshme, me objektiv parandalimin, konstatimin dhe goditjen që në fazë fillestare, të tentativave për të kultivuar bimë narkotike.
Si rezultat, është finalizuar faza e shtatë e megaoperacionit policor të koduar “Imazhi”, në kuadër të të cilës, në një zonë të pyllëzuar e terren të vështirë të fshatit Ferr, Shkopet, u gjetën dhe u shkatërruan 3 minisera brenda të cilave ishin kultivuar 280 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa. Policia e Kurbinit, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, vijon veprimet hetimore, me qëllim identifikimin dhe arrestimin e autorit/ëve të këtij rasti kultivimi. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re