Skip to content

IMT Kurbin nis aksionin për lirimin e hapësirave publike, prishen ndërtimet pa leje

Sektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) në Kurbin ka nisur ditën e sotme një aksion në qytetin e Laçit, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme.

Tregtarët ishin paralajmëruar më herët për këtë ndërhyrje, dhe një pjesë e tyre kanë bashkëpunuar duke liruar vullnetarisht hapësirat e zëna. Ndërkohë, për ata që nuk kishin reaguar ndaj paralajmërimeve, ka nisur prishja e strukturave dhe objekteve pa leje.

Në shumë zona të qytetit të Laçit janë konstatuar ndërtime pa leje, kryesisht objekte tregtare të ngritura pranë pallateve, të cilat jo vetëm që kanë zënë hapësirat publike, por edhe kanë bllokuar rrugicat, duke penguar lëvizjen e lirë të qytetarëve.

Drejtori i IMT Kurbin, Jetmir Muzhika, në një deklaratë për mediat është shprehur se aksioni i nisur sot është pjesë e një fushate më të gjerë për rikthimin e hapësirave publike në funksion të komunitetit dhe zbatimin e ligjit në territor.

“Ne kemi qenë të qartë dhe korrekt me paralajmërimet ndaj subjekteve që shkelin ligjin. Aksioni do të vijojë deri në lirimin e plotë të çdo hapësire publike të zënë në mënyrë të paligjshme,” – tha Muzhika.

Aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, duke përfshirë zona të tjera problematike në territorin e Bashkisë Kurbin.