Është inauguruar sot në ambientet e Bibliotekës “Vexhi Buharaja” në Berat Këndi Arkivor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shtetit. Salla është e pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme, që janë të lidhura online me arkivin e shtetit, do t’i shërbejë çdo qytetari që ka nevojë për dokumente të kësaj arshive.

Në ceremoninë e inaugurimit kanë qenë të pranishëm Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shtetit Ardit Bido, kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo dhe përfaqësues të institucioneve vendore në Berat.

Demo dhe Bido kanë vizituar ambientet e sallës ku janë instaluar kompjuterët që janë lidhur on line me arkivën e shtetit dhe ku jo vetëm studiuesit por edhe qytetarët beratas do mund të shfletojnë materialet arkivore dhe nëse dëshirojnë, mund edhe t’i blejnë ato për t’i pasur në arkivën e tyre.

Kryebashkiaku i Beratit Ervin Demo ka konfirmuar se kjo zyrë do t’i lehtësojë qytetarët beratas nga sorollatjet e panumërta që kanë kryer më parë në zyrat qendrore të arkivës së shtetit, për t’u pajisur me dokumentacionet e nevojshme. Demo ka deklaruar se në këtë zyrë do të jenë në shërbim të qytetarëve një grup i trajnuar dhe profesional punonjësish.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivës së Shtetit, Ardit Bido ka deklaruar se arkiva e shtetit ka mijëra e mijëra vëllime arkivore, aksesi i të cilave tashmë do të jetë i mundur nëpërmjet kësaj zyre për të gjithë qytetarët beratas, të interesuar për to.