Deputeti i Partisë Demokratike, Lefter Gështenja, në një intervistë për Vizion Plus ka folur lidhur me hetimet e SPAK për aferën e inceneratorëve, si dhe për situatën aktuale brenda PD.

 

Mazhoranca hodhi poshtë kërkesën e PD për interpelancë me kryeministrin Rama, e prisnit këtë?

 

“Në fakt, nuk e prisja që shumica të votonte kundër 2 kërkesavë të opozitës, një kërkesë e paraqitur nga Grupi Parlamentar i PD dhe një kërkesë nga deputetë të tjerë të opozitës. Nuk ka asgjë që e mbulon tanimë këtë mega aferë, siç është kjo e inceneratorëve, çdo ditë e më shumë gjërat do dalin në dritë. Do thoja përtej modestisë, përpos punës që ka bërë Komisioni Hetimor, ka pasur një informacion të ngujuar lidhur me këtë çështje, pra nuk ka pasur një informacion të detajuar, përsëri arritëm të nxjerrim në pah të gjitha abuzimet që janë bërë, shkeljet ligjore që janë bërë me të trija procedurat”, tha ai duke thënë se gjetjet u depozituan në SPAK.

 

Si e gjykoni ju punën e SPAK?

 

“Personalisht  e kam shprehur edhe në seancën pararendëse në kuvend, unë e inkurajoj, mbështes organet e drejtësisë, pasi nëse një ditë ky vend do të bëhet, do bëhet nëse drejtësia do të funksionojë”, tha ai duke theksuar se drejtësia ka vijuar të bëjë detyrën e saj. “Çështja e inceneratorëve nuk mund të mbyllet me arrestime apo qoftë edhe me ndalime, apo me çuarjen para drejtësisë së 1,2 apo 3 ministrave. Në këtë procedura është i përfshirë i gjithë zinxhiri qeveritar, drejtues të lartë të qeverisë, por nuk mbeten pas edhe drejtuesit vendor”, tha ai duke shtuar se është shkelur ligji për këtë aferë ndonëse ende inceneratorët nuk janë funksionalë.

 

Me 29 korrik PD zgjedh kreun e ri, si po shkon procesi dhe çfarë prisni?

 

“Unë kam kërkuar që PD është koha që duhet të ketë një proces normal, ndoshta të parin pas këtyre dy viteve, duhet të ketë një garë reale, nuk kam qenë dhe nuk jam dakord me këtë proces që po kryhet, nëse po kryhet, brenda strukturave të PD. PD dhe demokratët kanë nevojë sot më shumë se kurrë për një proces real”, thekson ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re