Anëtari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike Jamarbër Malltezi ka akuzuar organet e reja të drejtësisë se janë bashkëpunëtore të aferës së inceneratorëve.

 

Në një dalje për media nga selia blu, Malltezi tha se në këtë aferë nuk janë shpërdorur vetëm paratë e shqiptarëve, por edhe të taksapaguesve europianë.

 

Më tej, ai renditi edhe 5 pyetje për SPAK, që sipas Malltezit janë shumë të thjeshta për shqiptarët, por të vështira për t’i dhënë përgjigje ajo që ai e quan si drejtësia e Sorrosit.

 

Deklarata e plotë:

 

“Paguhet shumë për ta varrosur aferën e inceneratorëve, me të cilën kanë vjedhur 105 milion euro deri tani, dhe vijojnë çdo ditë. Jo vetëm para’ të shqiptarëve, por edhe taksapaguesve europianë.

 

Bashkimi Europian ka dhënë 4 milionë euro për përafrim legjislacioni mjedisor përmes projekteve STEMA dhe Selea. Sapo u sinkronizuan ligjet, u hartuan Strategjia dhe Plani Kombëtar i Mbetjeve.

 

Këto u injoruan dhe u vrapua pas një propozimi të pakërkuar për inceneratorë.

Inceneratorët bien ndesh, qoftë me strategjinë, qoftë me planin e veprimit të financuara nga Bashkimi Europian.

 

Pesë pyetje të thjeshta për SPAK:

 

Pse u dhunua Strategjia dhe Plani Kombëtar për Menaxhimin e Mbetjeve që ishin në fuqi?

 

Pse u firmos kontrata, ndonëse APP kish sqaruar se procedura ishte e kundraligjshme?

 

Edi Ramën e zuri ndonjë hall i madh apo bëri ndonjë pazar po kaq të madh që firmosi kontratë në kundërshtim me ligjin?

 

Pse u mashtrua sikur kompania e sapokrijuar kishte eksperiencë të madhe me incenerimin? Si qëlloka që miqtë e Edi Ramës dhe Arben Ahmetajt qenkan ‘nonat e incenerimit’?

 

Çfarë halli apo pazari e detyruan Edi Ramën që gënjeu sikur u kryen 10 procedura brenda 1 dite?

Këto janë pyetje shumë të thjeshta për shqiptarët, por shumë të vështira për drejtësinë e Soros.

Ne kemi një përfundim: Të gjitha këto ndodhin sepse ata i ndajnë paratë së bashku. 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re