Shtyhet seanca e dytë gjyqësore për inceneratorin e Elbasanit.

 

Shkak për këtë është bërë mungesa e të njoftimit zyrtar për të pandehurën Jonida Zeqo, e cila ka qenë anëtare e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, shtëpia e të cilës nuk është lokalizuar ende nga oficerët e policisë gjyqësore, për herë të dytë.

 

Për këtë dosje, gjykata ka marrë 12 të pandehur, përfshirë këtu ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe vartësin e tij, sekretarin e kësaj ministrie Alqi Bllako.

 

Ndërkaq togat e zeza bënë me dije se dy nga tre pronarët e inceneratorëve përkatësisht Mirel Mërtiri dhe bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja janë lokalizuar në Austri, por Interpol Tirana ende nuk ka informacion nëse shteti austriak e ka pranuar apo jo ekstradimin e tyre drejt Shqipërisë.

 

Ndërsa Klodian Zoto, pronari tjetër i dy inceneratorëve, i bashkëpandehur në po të njëjtën dosje, nuk është arrestuar dhe nuk është lokalizuar vendndodhja e tij.

 

Prezent në seancën e sotme ishin 4 nga 12 të pandehurit, Bardhyl Çabiri dhe Pëllumb Abeshi nga kafazi i qelqtë, ndërsa dy të tjerët  Etleva Kondi dhe Serafin Papa janë lënë në masën e sigurisë arrest shtëpie. Kurese personat e tjerë janë përfaqësuar nga mbrojtësit e tyre ligjorë.

 

Akuzat që rëndojnë mbi ta janë ato të shpërdorimit të detyrës, korrupsionit pasiv dhe aktiv të zyrtarëve të lartë, pastrimit të parave.

 

Seanca e tretë pritet të zhvillohet në datën 20 prill, ora 09:00.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re