Fletë arrestet e lëshuara nga SPAK për aferën e inceneratorit të Tiranës, ish-kryeministri, Sali Berisha i konsideroi si amnisti për kryebashkiakun, Erion Veliaj dhe kryesocialistin, Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Berisha deklaroi se urdhër arrestet e lëshuara ishin një turp për shtetin shqiptar.

“Këto nga Skapi dhe gjykata e partisë, u amnistuan.

U amnistuan edhe njëherë them në aktin më kriminal. Ata që amnistuan dje me vendimin e tyre për të arrestuar dy drejtorë të Bashkisë së Tiranës, Tusha dhe Simixhiu, ata kryen një krim të shëmtuar.

Amnistia, në çdo kohë është atribut i parlamentit dhe jo kurrë i gjykatësve apo i prokurorisë. Ajo që ndodhi mbrëmë është akti më i pashembullt në tërë historinë që nga themelimi i shtetit shqiptar gjer sot”, tha ai.

Sipas tij, zyrtarët e Bashkisë Tiranë ishin të informuar për mosekzistencën e kompanisë që po i jepej tenderi, por firmosën me urdhër të zyrtarëve qeveritarë.

“Taulant Tusha dhe Simixhiu, janë dy zyrtarë të bashkisë, të caktuar nga bashkia në komisionin e dhënies me koncesion të djegësit të Tiranës. Në këtë komision, ata kanë vendosur që një kompani imagjinare, e cila nuk ekzistonte, një kompani fantazmë e quajtur Integrated Energy, e paregjistruar kund, t’i japin 8 pikë bonus pa garë, për djegësin e Tiranës”, tha ai.

Ai kërkoi që drejtësia të çojë pas hekurave ata të cilët sipas tij janë përgjegjësit e vërtetë të kësaj afere, Edi Rama, Ëngjëll Agaçi dhe Erion Veliaj.

“Tani, të besosh se Tusha dhe Simixhiu janë përgjegjësit kryesorë, është të besosh se Edi Rama, Erion Veliaj dhe Engjëll Agaçi dhe Artur Metani, ishin në këtë rast drejtorë bashkie, kurse Tusha dhe Simixhiu ishin kryeministër dhe sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave.

Krimi i tmerrshëm ndodhi, me pasojë deri tani grabitjen e 130 milionë eurove, të zhdukura pa nam e nishan, jo pse firmosi Tusha dhe Simixhiu, por se firmosi Rama, Agaçi, Metani dhe ministrat. Pra, nuk ka amnisti më kriminale sesa kjo.” /

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re