Jorida Tabaku nga selia e PD-së ka denoncuar sot, mbështetur në një raport konfidencial të KLSH-së, vjedhjen nga qeveria me inceneratorin e Tiranës për 30 vjet rresht, me një skemë më të rëndë dhe më kriminale se me dy inceneratorët e tjerë, të Fierit dhe të Elbasanit dhe i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë.

“Një analizë e ftohtë e KLSH-së në lidhje me kontratën koncensionare të inceneratorit të Tiranës, e dhënë 30 vjet një kompanie me aksionerë të panjohur në parajsat fiskale – ndërkohë që pjesa tjetër është zotëruar nga Klodian Zoto, ngre alarmin për një skemë tjetër kriminale edhe më të rëndë se vjedhjet me inceneratorët e Fierit dhe të Elbasanit.

Shqiptarët do të paguajnë 104 milionë euro shtesë vetëm nga indeksimi i inflacionit dhe mosllogaritja e saktë e volumit të plehrave”,-shpjegoi Tabaku.

“Kjo do të thotë që vlera e kontratës së operimit për inceneratorin e Tiranës do të shkojë në rreth 300 milionë euro dhe jo në 223 milionë euro sa mashtron Ministria e Financave.

Në grafikun e paraqitur këtu në ekran, shfaqet skeduli i pagesave për 20 vitet e ardhshëm dhe tregon se si rritet kjo kosto dhe shkon në totalin e 300 milionë eurove”,-u shpreh Tabaku.

“Në raportin konfidencial të KLSH-së që ne e zotërojmë këtu por njëkohësisht edhe disa media e kanë bërë publike thuhet se kontrata për inceneratorin e Tiranës ia kalon të gjithë rrezikun, taksapaguesit shqiptar…

Për SPAK-un është shumë e thjeshtë: dokumentet janë në zyrat e shtetit dhe duhet që të hetohen, që paratë të shkojnë për shqiptarët dhe jo në parajsat fiskale. Është në nderin e SPAK-ut të hetojë këtë vjedhje flagrante të qeverisë në ikje me kryeministrin në ikje, Edi Ramën”,-deklaroi Tabaku.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re