Një aksident me të paktën 30 të plagosur, 17 prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndodhi në një qendër skiimi në Spanjë kur, sipas informacioneve të para, një teleferik u shemb.
SPANJË – Një aksident me të paktën 30 të plagosur, 17 prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndodhi në një qendër skiimi në Spanjë kur, sipas informacioneve të para, një teleferik u shemb.
Aksidenti ndodhi në resortin Astún, ku operacioni i Mbrojtjes Civile të Spanjës është në zhvillim, për transportimin e të plagosurve. Sipas Mbrojtjes Civile, teleferiku ra nga një lartësi prej 15 metrash.
Arsyet e aksidentit ende nuk janë sqaruar, megjithatë autoritetet lokale bënë të ditur se ndodhi për shkak të një defekti në strukturën e teleferikut. Në gjendjen më të rëndë është, sipas El País, një grua që u transportua me helikopter në një spital të afërt. Gjithsej janë angazhuar 4 helikopterë për transportin ajror të të plagosurve.
Për shkak të aksidentit, qendra e skiimit, e cila ishte plot me njerëz, është mbyllur. Një dëshmitare okulare që ishte në qendrën e skiimit me babain e saj deklaroi për Canal 24 Horas se pa shumë njerëz të shtrirë në dëborë dhe të tjerë që rrëshqisnin poshtë shpatit. Ajo shpjegoi se arriti të hidhej në kohë, duke shtuar se më rëndë u plagosën ata mbi të cilët ranë pjesë të teleferikut.
I tronditur nga aksidenti u shpreh edhe kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, i cili pati një bisedë telefonike me guvernatorin e Aragonisë për t’i ofruar ndihmën e qeverisë qendrore.
