4  turistë humbën jetë ditët e fundit teksa po eksploronin vendin tonë. Dy vajza humbën jetën në Valbonë pasi ranë në greminë ndërsa një 56 vjeçare gjermane vdiq teksa po udhëtonte me makinë pasi u përplas me një kamion. Rasti më i fundit ishte ai i turistit holandez në kanionet e Osumit.

Presidenti i Federatës së Alpinizmit, Artur Guni theksoi në një prononcim për ABC News se shkaku kryesor i aksidenteve të turistëve është mungesa e guidave.

“Guida vendase e njeh shumë mirë territorin dhe di situatën se si mund të ndryshojë nga çasti në çast. Shkaku kryesor i aksidenteve është ky sepse të huajt ndjekin thjesht një aplikacion që e gjejnë në internet por mund të ndryshojë nga stina në stinë. Për rastin e fundit, ka tjetër shteg për dimër dhe tjetër për verë.“, tha ai.

Më tej, Guni shtoi se po punojnë me ministrinë e Turizmit për një rregullore dhe për një ekip të përbashkët emergjencash civile për të ndërhyrë në këto lloje situatash.

“Jemi duke punuar me ministrinë e Turizmit dhe me OJF për të vënë rregull në këtë gjë dhe kemi kërkuar që Federata Shqiptare e Turizmit të administrojë pjesën e shtigjeve në të gjithë territorin. Jemi duke punuar edhe për ekipin e kërkim shtëpimit. Sapo kemi krijuar një ekip të përbashkët ndërmjet emergjencave civile dhe Federatës Shqiptare të Alpinizmit por ende nuk janë të gatshëm për të ndërhyrë në këto lloj situatash.”, përfundoi ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re