Garda e Republikës ka kërkuar mirëkuptimin e mediave dhe publikut lidhur me incidentin që u krijua ditën e sotme pra Kuvendit të Shqipërisë, ndërsa gazetarët u bllokuan që të kryejnë punën e tyre.

Ndërsa gazetarët tentuan të afroheshin pranë disa deputetëve për t’i intervistuar, garda ka ndërhyrë dhe i ka penguar.

Në reagimin e saj, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e tyre në rast se është bërë “pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.”

Reagim i Gardës së Republikës:

Nisur nga reagimi publik i Komunitetit të Reporterëve të Politikës gjatë ditës së sotme, mbi një incident të ndodhur në oborrin e godinës ku mbahen seancat parlamentare, Garda e Republikës kërkon mirëkuptimin e medias dhe publikut në tërësi, nëse për shkak të zbatimit rigoroz të masave për sigurinë dhe mbarëvajtjen e punimeve në Kuvend, mund të jenë bërë pengesë në mënyrë të padëshiruar për përmbushjen e detyrave dhe misionit të tyre.

Në analizë të situatës së krijuar sot, drejtuesit e Gardës kanë tërhequr vëmendjen e Shërbimeve pranë Parlamentit, për të shmangur incidente të ngjashme.

Media mbetet një partner i rëndësishëm për garantimin e transparencës, informimin e publikut, e në këtë frymë bashkëpunimi të konsoliduar, Garda e Republikës garanton se do të ketë gjithë angazhimin për krijimin e kushteve optimale për to, për funksionalitetin dhe mbarëvajtjen e punimeve në sallën plenare apo Komisionet parlamentare.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re